Vjosa Osmani: Lufta për të mbrojtur demokracinë është rruga drejt prosperitetit dhe paqes
E para e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka pranuar çmimin M100 Media Award më 12.09.2024.
Ky çmim u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.
Gjatë fjalimit të saj në Potsdam të Gjermanisë, presidentja e Kosovës tha se beson se lufta për të mbrojtur demokracinë nuk është vetëm një detyrë, por është detyrë e jetës e është rruga drejt prosperitetit dhe paqes.
“Dhe një demokraci e begatë, zonja dhe zotërinj, është ajo që ndërtohet gjithashtu mbi premisën e barazisë gjinore” – tha Osmani.
Në fjalimin e saj ku u fol për luftën, drejtësinë, barazinë gjinore, luftimin e dezinformatave e shumë tema të tjera, një pjesë iu nda edhe ngritjes së grave.
“Kur gratë ngrihen, ato nuk ngrihen vetëm; ato ngrenë kombe të tëra. Ato thyejnë tavanet e xhamit, thyejnë barrierat dhe sfidojnë status quo-në. Zërat e tyre kërkojnë të dëgjohen, forca e tyre riformëson botën dhe guximi i tyre ndez ndryshime pozitive” – tha presidentja e Kosovës.
Teksa qëndronte përballë të pranishmëve në ceremoninë ku mori çmimin, presidentja tha se po mendon për të gjitha vajzat dhe gratë në shtëpi, në Kosovë.
“Unë u them atyre se është në ngritjen e të gjithë juve që ne gjejmë forcën për të bërë histori, për të kërkuar drejtësi dhe për të transformuar të ardhmen tonë. Me ju dhe nëpërmjet jush, ne qëndrojmë ditë pas dite më të fortë, më krenarë dhe më gjatë” – ishte mesazhi i presidentes për gratë e Kosovës dhe jo vetëm.
Gjatë fjalimit Osmani citoi edhe një rresht nga një libër që mori dhuratë në Varshavë.
“Çdo brez fëmijësh… i ofron njerëzimit mundësinë për të rindërtuar botën e tij në gërmadha”.
Është ky rreshti i librit që lexoi e para e shtetit e që tha se asaj ia kujtoi se brezi aktual i fëmijëve në Kosovë janë gjenerata e parë në historinë e kombit të Kosovës që u rrit pa luftë.
“Dhe ne duhet të sigurojmë, duhet të sigurojmë bashkërisht, që ata të mos e njohin kurrë të kundërtën e paqes dhe të kundërtën e demokracisë. Ne duhet të sigurohemi që ata të mos kalojnë kurrë atë që ne duhej të kalonim” – u shpreh presidentja.
Ajo kujtoi edhe ceremoninë e vitit të kaluar, gjatë të cilës çmimi M100 iu nda popullit të Ukrainës.
Osmani kujtoi se si para se të jepej çmimi u shfaq një video, që sipas saj përshkruajti dhimbjen, vuajtjen, shkatërrimin e njerëzve të pafajshëm dhe shtëpive të tyre stërgjyshore të ukrainasve.
“Por, gjithashtu tregon guximin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve për të luftuar për lirinë dhe demokracinë e tyre, me gjithçka që duhet” – tha e para e shtetit të Kosovës.
Tutje ajo shtoi se kur qytetarët nga Kosova shikojnë këto video të Ukrainës, nuk është thjesht një ndjenjë e largët apo për ndonjë nocion abstrakt të normave të së drejtës ndërkombëtare dhe domosdoshmërisë për t’i mbrojtur ato.
Ajo tha se për qytetarët e vendit që udhëheq, është një tmerr i rijetuar, një dhimbje e ndjerë vazhdimisht, një plagë shumë e thellë, por një plagë që nuk na ka penguar kurrë të bëhemi të mbijetuar që lulëzojnë.
“Ne ishim në vendin e tyre, ishim në këpucët e tyre, pamë shkatërrimin dhe vuajtjen që sjell e kundërta e demokracisë, prandaj sot jemi kaq të përkushtuar, kaq të palëkundur dhe kaq të vendosur për të luftuar çdo luftë dhe për të paguar çdo çmim për të siguruar atë mbijetesën dhe suksesin e saj” – tha Osmani.
M100 Media Award M100 Sanssouci Colloquium është një forum ndërkombëtar që mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdamit.
Ky forum ndërkombëtar drejtohet konceptualisht nga një bord këshillues i përbërë nga gazetarë të njohur dhe personalitete të ndryshme gjermane dhe ndërkombëtare, të cilët takohen në intervale të rregullta.
Përveç kësaj, ky bord këshillues vepron si juri për M100 Media Award dhe udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdamit, Mike Schubert.
Nominimi i presidentes Osmani është bërë nga juria e tij, propozim i mbështetur me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë.
Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.
Kemi kuptuar se në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme europiane, përfshirë presidentë dhe kryetarë qeverish.
Presidentja Vjosa Osmani është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me çmimin ndërkombëtar M100 nga Sanssouci Colloquium.
Në njoftimin e publikuar nga M100 thuhet se presidentja Osmani “është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo angazhohet për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore, përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave”.
Presidentja Vjosa Osmani është nderuar në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – një sinjal i qartë se Kosova i takon familjes dhe vlerave europiane.
Me këtë çmim janë nderuar edhe personalitete të ndryshme europiane Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Nawalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane.