Vjosa Osmani kujton Xhemajl Mustafën: Ai u vra pabesisht

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka përkujtuar aktivistin e LDK-së, Xhemajl Mustafën, në 20 vjetorin e vrasjes.

Ajo e ka cilësuar Mustafën si një ndër personalitetet më të rëndësishme të lëvizjes politike të viteve ’90 për liri dhe pavarësi.

“Xhema qe i veçantë, siç qe e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë dhe në jetë. Ai qe guximtar i vendosur, vizionar dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, por i butë në sjellje, ashtu siç qe edhe Presidenti Rugova”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka shkruar se Mustafa u vra pabesisht për shkak të veprimtarisë së tij politike e atdhetare.

“Me vrasjen e tij, Kosova e humbi një intelektual të jashtëzakonshëm, i cili e artikuloi politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe i vuri themelet e informimit të opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës”.

Në fund, Kryetarja e Kuvendit ka shkruar do të kujtohet përjetësisht vepra madhore e ‘Xhemës’, siç e ka quajtuar ajo, në shërbim të vendit e të popullit dhe nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për të.