Vjosa Osmani - LDK

Vjosa Osmani kujton profesorin Bardhyl Çaushi, i kidnapuar e vrarë nga forcat serbe

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar profesorin Bardhyl Çaushin.

21 vjet më parë, intelektuali e bashkëpunëtori i presidentit Rugova, profesor Bardhyl Çaushi ishte kidnapuar nga forcat serbe për t`iu gjetur eshtrat në shtator të vitit 2005.

Sipas Osmanit drejtësia në këtë rast ende nuk e ka gjetur vendin e saj, andaj edhe duhet të punohet në këtë drejtim.

“Për njeriun, i cili pjesën dërmuese të jetës së tij ia kushtoi drejtësisë, sot ende nuk ka drejtësi. Ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që përgjegjësia për kidnapimin dhe vrasjen e tij t`i nënshtrohet drejtësisë. Nuk mund të falen krimet, në mënyrë që të mos përsëriten ato”, thuhet në komunikatën për media.

Osmani ka thënë se ‘Profesor Bardhyli e kishte trajtuar besën në aspektin studimor, e cila sipas tij mbështetej në vetë domethënien e fjalës së dhënë për diçka të rëndësishme’.

Osmani ka insistuar që ata që kanë pasur gisht në vrasjen e profesor Çaushit duhet të sillen para drejtësisë.

“21 vjet pasi që u ndërpre ky uragan intelektual, duhet ta përmbushim besën në mënyrë që vrasësit e tij të sillen para drejtësisë. I përjetshëm kujtimi për profesorin e së drejtës e atdhetarin Bardhyl Çaushi”, ka thënë ajo.