Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani: Kufijtë e Kosovës u shënuan me humbjen e shumë jetëve

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratës së Miroslav Lajçak, përfaqësues për dialogun Kosovë-Serbi dhe zëdhënsit të Bashkimit Evropian për politikë dhe siguri të jashtme Peter Sano, se harta që shihej në një foto prapa Lajçak është qëndrim neutral i BE-së.

Ajo përmes një postimi në Twitter tha se Kosova është shtet, kufijtë e së cilës u shënuan me humbjen e shumë jetëve nga regjimi gjenocidal i Serbisë, e për këtë sipas Osmanit nuk mund të ketë neutralitet.

“Republika e Kosovës është dhe gjithmonë do jetë e pavarur i pandashëm dhe sovran. Kufijtë tanë u shënuan me humbjen e mijëra fëmijëve, grave dhe burrave, jetët e pafajshme të cilëve u morën nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Nuk mund të ketë neutralitet ndaj kësaj të vërtete,” ka shkruar Osmani.

Lajçak: Është hartë zyrtare e BE-së, aty është vija që ndan Kosovën nga Serbia