Vjosa Osmani: Kosova ka miq të shumtë në Austri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Republika e Kosovës ka miq të shumtë në Austri.

Ajo, gjatë vizitës zyrtare në Austri, është takuar me Shoqatën e miqësisë Austri – Kosovë, si dhe me eurodeputetin Lukas Mandl, si dhe ish eurodeputeten dhe ish raportuesen për Kosovë në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek.

“Angazhimi juaj për Kosovën si dhe mbështetja për të ndër vite mbetet një kontribut i jashtëzakonshëm për të cilin u jemi përherë mirënjohës. Ju keni qenë zëri ynë kur ne na mohohej e drejta për të folur dhe na keni garantuar përfaqësim në tryeza e forume, në disa prej të cilave, Kosovës ende i mohohet e drejta e pjesëmarrjes”, ka shkruar Osmani në rrjetin social ‘Facebook’.

Gjithashtu, presidentja Osmani ka thënë se me ftesë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, ka mbajtur një ligjëratë mbi forcimin e shtetësisë së Kosovës.

“Me këtë rast, theksova që Republika e Kosovës është një realitet që duhet të pranohet nga të gjithë, dhe sa më herët që do të bëhet diçka e tillë, ndikimi do të jetë i drejtpërdrejt në stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme në rajon dhe përtej”, ka bërë të ditur Osmani.

Osmani vizitën zyrtare në Austri e ka nisur gjatë ditës së djeshme, ku është takuar me homologun e saj Alexander Van der Bellen, si dhe kancelarin austriak Sebastain Kurz.

Nesër presidentja Vjosa Osmani për vizitë zyrtare në Austri