Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani: Konventa e Stambollit përcakton metoda për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave

Kuvendi i Kosovës në pikë të rendit të ditës e ka Propozim-amendamentin Kushtetues nr. 26.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, kërkoi që Konventa e Stambollit të bëhet pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

Osmani tha se dënimet e ulta kanë bërë që ky trend i dhunës ndaj grave mos të ketë ulje.

“Edhe konventa e Stambollit, që është pjesë e këtij amandamenti përcakton metoda për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familjes në një kontekst të rritjes së barazisë De juro dhe De fakto”, tha Osmani.

Për ta kapërcyer pabarazinë, Osmani tha se konventa kërkon që shtetet të zbatojnë politika të barazisë gjinore por edhe të fuqizojnë gratë.

“Nuk ka të bëjë me trajtimin e grave si viktima të pafuqishme. Është obligim i yni që në kuadër të legjislacionit tonë, të Kushtetutës, të përfshijmë edhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje e njohur si Konventa e Stambollit”, tha Osmani.

Osmani tha se kjo Konventë duhet të bëhet pjesë e Kushtetutës në mënyrë që të ngritët standardi i respektimit të këtyre kërkesave.

“Vota juaj është votë për secilin qytetar. Vota juaj për këtë amandament është vetëm një kërkim falje që nuk arritëm të bëjmë asgjë që ti mbrojmë gratë përpara se të vriten”, shtoi Osmani.