Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani komenton shkarkimin e drejtorit të AKI-së

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani,  në emisionin “Ilva Now” në “Euronews Albania”, ka komentuar kërkesën e kryeministri të Kosovës, Avdullah Hoti, për lirimin nga detyra të drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashit.

“Po i di arsyet, po meqë është proces i ndjeshëm nuk më duket rasti që duhet të flas  në detaje, mirëpo ka qenë një proces i diskutuar edhe më herët dhe i koordinuar”, ka thënë Osmani.

Për këtë çështje, Vjosa Osmani ka thënë se është dakorduar me kryeministrin Hoti.

“Sot kisha një bisedë me kryeministrin e Kosovës dhe natyrisht se e kam dhënë dakordimin tim për një proces të tillë dhe kam kërkuar që sa më shpejt, madje urgjentisht të ecim përpara me emërimin e një udhëheqësi të ri që bazohet mbi parimet e profesionalizmit, që nuk ka lidhje partiake dhe dikë që ka integritet.”, ka thënë ajo.

Në fund të vitit të kaluar, Kreshnik Gashi ishte emëruar shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Në krye të Inteligjencës, Gashi erdhi nga nga pozita e kryetarit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Gashi zuri vendin e Shpend Maxhunit, i cili kishte dhënë dorëheqje.

Por, edhe Kreshnik Gashit nuk i zgjati shumë posti i kryespiunit. Pas 1 viti e 22 ditësh në krye të AKI-së atij, sot, iu kërkua largimi nga detyra. Kërkesa erdhi nga kryeministri Avdullah Hoti, në dakordin me u.d. presidenten, Vjosa Osmani. Të dy këto institucione, të cilat emërojnë dhe shkarkojnë drejtuesit e AKI-së, nuk patën ndonjë sqarim se pse u kërkua lirimi nga detyra i Gashit.

Shkarkimi i shefit të AKI-së, pika ku pajtohen Vjosa Osmani e Avdullah Hoti