Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani kërkon nga Kushtetuesja që dekreti i Thaçit për Avdullah Hotin të shpallet kundërkushtetues

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar që dekreti i presidentit Hashim Thaçi me të cilin Avdullah Hoti nominohet për kandidat për kryeministër të shpallet antikushtetues.

“Kërkoj nga  gjykata që të shpallë një Aktgjykim, përmes të cilit konstaton se Dekreti i Presidentit Nr. 24/2020 është në kundërshtim me Kushtetutën sepse nëpërmjet këtij Dekreti, Presidenti i vendit ka tejkaluar kompetencat e veta duke ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera dhe rrjedhimisht duke rënë në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve”, ka shkruar Osmani në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në letër Osmani ka shtuar se Thaçi nuk e ka respektuar ndarjen e pushteteve.

“Në fakt, përmes veprimeve të tij, Presidenti i vendit nuk ka respektuar parimin bazë të secilit sistem demokratik, parim i cili është i mishëruar edhe në sistemin juridik të Republikës së Kosovës: ndarjen e pushteteve”, thuhet në komentet e Osmanit.

“Në këtë kuptim, këto komente paraqiten si në vijim: së pari, Presidenti i vendit përmes Dekretit të kontestuar nuk ka respektuar parimin kushtetues së ndarjes së pushteteve. Së dyti, Presidenti përmes Dekretit të kontestuar ka synuar të amendamentoj Kushtetutën e vendit, kompetencë e cila i takon ekskluzivisht Kuvendit. Së fundmi, Presidenti ka ngërthyer mbi vete kompetenca për interpretimin e Kushtetutës e që sipas së drejtës pozitive i takon Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur kryeparlamentarja.

Sa i përket parimit të ndarjes së pushteteve, Osmani duke cituar nene të caktuara të Kushtetutës, ka theksuar se presidentit të Republikës së Kosovës me Kushtetutë nuk i njihet në asnjë formë kompetenca e kushtetutëbërjes.

“E në rastin konkret, këtë të drejtë nuk e gëzon Presidenti as në kuptim të përcaktimit të afateve kohore lidhur me mandatimin e kandidatit për Kryeministër të vendit, përderisa nuk ekziston një normë e tillë kushtetuese”, thuhet në komentet e saj.

“Sipas Kushtetutës, në procesin e formimit të institucioneve, përkatësisht zgjedhjes së qeverisë, Presidenti ka kompetencë të vetme që t’i propozojë Kuvendit emrin e kandidatit të përcaktuar nga subjekti politik i cili ka fituar shumicën relative në zgjedhje. Deri në momentin kur ky emër i dërgohet Presidentit nga ai subjekt politik, Kushtetuta nuk i ka dhënë Presidentit asnjë kompetencë apo rol aktiv”, është shprehur ajo.

Votimi i suksesshëm i mosbesimit ndaj Qeverisë në krye me Albin Kurtin bëri që presidenti Thaçi t’i drejtohet Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve duke i kërkuar emrin e një mandatari tjetër, por se kjo e fundit nuk e refuzoi por as dërgoi ndonjë emër në Zyrën e Presidentit, duke shfrytëzuar faktin se në Kushtetutë nuk përcaktohet afat kohor për kthim të përgjigjes.

Pas disa letrave që shkëmbyen mes vete, kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe presidenti, Thaçi mblodhi të gjitha partitë politike parlamentare, duke u kërkuar qëndrim nëse janë për zgjedhje, ose formim të Qeverisë.

Pas kësaj presidenti e mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër, kurse Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese dekretin, duke kërkuar edhe masë të përkohshme ndaj tij, përderisa të dyja palët politike janë në pritje të fjalës së fundit të Gjykatës.

Kushtetuesja e pezulloi deri me 29 maj dekretin e presidentit Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në komentet e saj ka theksuar sed presidenti i vendit, duke caktuar afat, ka krijuar normë të re kushtetuese, për një çështje për të cilën Kushtetuta qëndron e heshtur.

“Kushtetuta nuk përcakton afate sa i përket kohës qe ka në dispozicion subjekti fitues i zgjedhjeve për të dërguar emrin e kandidatit për Kryeministër. Pra, duhet sqaruar se të vetmet afate kushtetuese të përcaktuara në këtë drejtim fillojnë të konsumohen vetëm pas mandatimit formal të mandatarit nga ana e Presidentit të vendit”, thuhet në përgjigjen e saj për Gjykatën Kushtetuese.

“Në një situatë të tillë, veprimi i Presidentit është i njëanshëm. Në mungesë të një afati kohor, Presidentit i duhet të argumentojë plotësimin e dy kritereve. Fillimisht duhet të argumentojë mbi një refuzim formal nga subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje apo një dështim procedural, që nënkupton që kandidati i propozuar nga partia e parë nuk merr shumicën e nevojshme në Kuvend”, ka shtuar ajo.

Mes tjerash, në komente, Osmani ka vlerësuar se presidenti ka vetëcaktuar kompetenca për interpretim përfundimtar të Kushtetutës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është mjaft e qartë dhe koncize edhe në kuptim të definimit të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe interpretimin përfundimtar të dispozitave kushtetuese. Një kompetencë e tillë i është dhënë ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas definicionit kushtetues është “[…] organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës”, ka theksuar mes tjerash Osmani.

Komentet e plota i lexoni në këtë link Komentet Vjosa Osmani