Vjosa Osmani kërkon shkarkimin e anëtarëve të Listës Serbe në qeveri

Kryetarja e kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas një publikimi të Listës Serbe se do ta mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në “luftën e tij për Kosovës dhe Metohinë”.

Sipas Osmanit, kjo deklaratë e tyre është kundër rendit dhe sovranitetit kushtetues të Kosovës përderisa ata janë partnerë në Qeverinë aktuale të Kosovës.

“Edhe nëse e lëmë mënjanë çështjen e masave të COVID-19, kjo thirrje e Listës Serbe (partner në Qeverinë e Kosovës) për të mbështetur pozicionin e Serbisë politikisht dhe diplomatikisht, është një thirrje kundër rendit dhe sovraniteti kushtetues të Kosovës. Sipas fjalëve të tyre, ata do ta ‘mbështesin Vuçiqin në luftën e tij për Kosovën dhe Metohinë'”, ka shkruar Osmani në Twitter.

 

“Edhe nëse Qeveria e Kosovës hesht, Kuvendi nuk duhet të heshtë. U bëj thirrje partive politike të më bashkohen në hartimin e një Deklarate/Rezolute me të cilën do të kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të qeverisë që i bashkohen betejës së tij politike e diplomatike kundër vendit tonë”, ka shkruar Osmani.