Homazhe për Shaqir Hotin. Foto: Facebook/MKRS

Vjosa Osmani: Kavalli i Bacës Shaqë pushoi, por tingujt e tij do të jehojnë ndër breza

Një ditë pas vdekjes së mjeshtrit të instrumenteve Shaqir Hoti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ai ka lënë pas një trashëgimi të begatshme të punës së tij në ruajtjen e traditës së punimit të instrumenteve frymore.

“Instrumentet e muzikës sonë burimore: okarina, fyelli e kavalli, mbetën pa mjeshtrin e madh Shaqir Hotin. Baca Shaqë iku në përjetësi duke lënë pas një trashëgimi të begatshme të punës së tij mjeshtërore në ruajtjen e traditës së punimit të instrumenteve frymore, por edhe kultivimin e muzikës sonë burimore”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentja ka shtuar se Hoti do të kujtohet si njeriu që kultivoi traditën tonë deri në frymën e fundit.

“Kavalli i Bacës Shaqë pushoi, por tingujt e tij do të jehojnë ndër breza. Ai do të kujtohet përherë si njeriu që e deshi, ruajti dhe e kultivoi traditën tonë me devotshmëri deri në frymën e fundit! Qoftë i përhershëm kujtimi për mjeshtrin e instrumenteve – Bacën Shaqë!”, ka përfunduar presidentja Osmani.

Instrumentisti Shaqir Hoti ka vdekur dje në moshën 85 vjeçare. Ai ka lindur më 1936, në fshatin Rogovë të Hasit. Që në moshën 6-vjeçare ka luajtur në instrumente frymore, si fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera. 

U shkollua për muzikë në vendlindje e tij në Prizren. Për një kohë Hoti ka punuar në Radio Prishtinë. 

Për shumë vjet ishe pjesë e ansamblit muzikor “Azem Bejta” të Prishtinës. Ai po ashtu ka qenë pjesë e shumë këngëve dhe videoklipeve të artistëve të njohur kosovare. 

Pas pensionimi iu kushtua punimit të instrumenteve të ndryshme. E veçantë mbetet punimi i okarinës, sipas modelit të okarinës antike të Muzeut të Kosovës, e cila gjendet në Serbi.