Foto: KALLXO.com

Vjosa Osmani: Ka parti që duan ta blejnë besimin e qytetarëve, mos i lejoni!

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, në një tubim parazgjedhor në Gjakovë, u ka bërë thirrje gjakovarëve të besojnë në shtet, të besojnë në njerëz të që e ndërtojnë vizionin dhe shtetin në vlera të mirëfillta.

Ajo ka thënë se prioritet i qeverisjes së saj do të jetë e ardhmja e të rinjve. “Boll më! U bënë 20 vjet me premtime që kurrë nuk u realizuan!”, tha Vjosa Osmani.

Osmani theksoi se ka parti që duan ta blejnë besimin e qytetarëve por ajo u bëri thirrje të pranishmëve që mos ta lejojnë këtë.

“Nuk ka gjë më të shtrenjtë se sa e ardhmja e të rinjve që po ikin çdo ditë e më shumë. Asnjëherë mos e vendosni votën aty ku u tjetërsohet apo keqpërdoret”, tha ajo.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre e ritheksoi se nuk ka bashkëpunim me PDK-në.

“Nuk ka bashkëpunim me njerëz që e degraduan shtetin”, shtoi ajo.

“Po jua jap një mesazh: në LDK do e gjeni një partner të sinqertë, që nuk sulmon me shpifje e gënjeshtra. Ne nuk do ta amnistojmë krimin e korrupsionin, ju premtoj”, shtoi Vjosa Osmani.

Sipas Vjosa Osmanit, qeverisja nga LDK do ta bëjë ndryshimin e madh, “ndryshimin që do të rezultojë me investime në shëndetësi, arsim e prioritete të tjera”.

“Të tjerët kanë pallavra, ne kemi vepra”, tha ajo në fund.