Vjosa Osmani: Jemi të bindur që Vetëvendosje është ndryshe prej partive të tjera

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se iniciativa e saj është e bindur se Lëvizja Vetëvendosje është ndryshe prej partive tjera, duke arsyetuar bashkëpunimin me këtë parti.

Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit garon në listën e LVV-së për deputetë. Ajo synon marrjen e pozitë së presidentes.

“Jo vetëm që besojmë por jemi të bindur për një gjë të tillë dhe çdo ditë e më shumë po bindemi edhe më shumë. Jo vetëm që kemi ndërtuar një partneritet të shkëlqyeshëm deri tani, por është fusha themelore e cila na ka bërë bashkë ose sfida themelore që është luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe vullneti që e shohim te Vetëvendosja dhe te z. Kurti posaçërisht që neve na shtynë të besojmë që ky partneritet jo vetëm që do të funksionojë por edhe ato do të arrihen të plotësohen”, theksoi ajo në KTV, kur u pyet nëse besojnë se LVV është ndryshe prej të tjera partive.

Osmani tha se në të kaluarën ka qenë kritike ndaj LVV-së, ashtu siç ata kanë qenë ndaj saj, duke shtuar se ata i ka bashkuar nevoja për të ndryshuar qeverisjen në Kosovë.

Ish-nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ditë më parë kishte deklaruar se është ndikuar nga ish-partia e saj LDK për perceptimin ndaj LVV-së.