Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani infektohet me COVID-19

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është infektuar me COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur Osmani përmes një publikimi në Faceobok.

“Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv”, ka shkruar mes tjerash ajo.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Osmanit në Facebook:

 Të nderuar qytetarë!

Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.

Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.

Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë  këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.

Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!

 Vjosa