Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani: Hoti me qasje arrogante dhe pa transparencë në dialog

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, po tregon qasje arrogante ndaj saj ndërsa arsyetoi kundërshtimin e asaj ndaj mënyrës se si Hoti po e zhvillon dialogun me Serbinë.

“Lidhur me marrëveshjet nëse mund ta quaj ashtu sepse më shumë ka qenë si zotim i palëve megjithatë ato që i kam thënë nuk kam çka shtoj. Zoti Hoti nuk e di çka flet, qasja e tij arrogante është për të ardhur keq për një kryeministër të vendit. Nëse kthehemi prapa do e shihni që sa herë që kam qenë kundër Hotit dhe shokëve të tij, atyre u janë disa vite  për të arritur te fjalët mia, si për Thaçin, koalicionin me PDK-në edhe tek kjo do vijnë por do jetë tepër vonë,” ka thënë Osmani

Osmani tutje shtoi se këto bisedime nuk kanë fare transparencë dhe kuvendi nuk është i informuar se çka do bisedohet sot në Bruksel. Ajo madje shtoi se delegacioni e di se cilat vija nuk duhet të kalohen në bisedime.

“Ka mungesë të transparencës lidhur me atë se çfarë do diskutohet sot, zyrtarisht si kuvend i Kosovës nuk jemi të informuar për agjendën e diskutimit, dikush thotë se do diskutohet për të drejta të pakicave dikush për asociacion. Delegacioni ka obligime kushtetuese, për të mos diskutuar çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin e vendit. Ato janë vija të kuqe që duhet të respektohen,” ka shtuar Osmani.

Osmani gjithashtu tha se është në kontakt me partitë për ta parë nëse kanë interesim për të thirrur seancë lidhur me këto takime.