Vjosa Osmani flet për të ardhmen e saj politike

Në një intervistë ekskluzive për BIRN, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, e ka diskutuar iniciativën e re qytetare, marrëdhënien e saj me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe të ardhmën e marrëdhënieve Kosovë-SHBA nën administratën e re të Biden.

Në një intervistë dhënë Jeta Xharrës për BIRN ditën e hënë, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka elaboruar të ardhmen e saj politike, pas ndarjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, në muajin qershor.

Ish kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, i tha Jeta Xharrës se ajo do të garojë në zgjedhjet e ardhshme si pjesë e, siç e përshkruan ajo, iniciativës qytetare. “Qëllimi ynë është që të mos krijojmë parti politike por një iniciativë qytetare, e cila do ti ketë në fokus qytetarët e Kosovës,” deklaroi ajo.

Emri i kësaj iniciative nuk është bërë i ditur ende porse tashmë e ka zbuluar sloganin e saj: GUXO. Duke e shpjeguar kuptimin e këtij slogani, Osmani i tha Jeta Xharrës se shteti i Kosovës është rezultat i guximit. Duke shtuar se tipari themelues për të cilin secili angazhohet në politikë është guximi.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, po ashtu ka bërë të ditur se është në pritje të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese që do t’i jipte asaj bazë ligjore për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të Kosovës. Në fund të dhjetorit, Osmani u takua me liderët e partive politike pas njoftimit të gjykatës për anulimin e formimit të Qeverisë Hoti dhe ka deklaruar se data e zgjedhjeve do të caktohet menjëherë pasi ta ketë marrë vendimin e plotë.

Sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera në zgjedhjet e ardhshme, Osmani bëri të ditur se udhëheqësi i vetëm i partisë me të cilin është takuar deri më tani është Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. “Takohemi herë pas here”, tha ajo. “Por deri më tani ne kemi diskutuar vetëm për gatishmërinë për të bashkëpunuar, për të diskutuar tema, prioritete.”

Osmani nënvizoi se ajo dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë rrënjë të ndryshme ideologjike, megjithatë kjo nuk e përjashton domosdoshmërisht bashkëpunimin. “Është e rëndësishme të theksohet se unë ende besoj në vlerat politike të qendrës së djathtë,” tha ajo. “Megjithatë ky nuk është fundi i botës dhe ka shumë vende demokratike ku qendra e djathtë dhe qendra e majtë mund të bashkëpunojnë, Gjermania për shembull.”

Osmani gjithashtu nuk e përjashtoi plotësisht kthimin e saj në LDK në të ardhmen, megjithëse shtoi se kërkohet një ndryshim i plotë i regjimit brenda kësaj partie. “Le të largohet kryesia e LDK-së dhe pastaj ne mund të flasim për mundësinë e kthimit,” tha ajo.

Duke i adresuar marrëdhëniet Kosovë-SH.B.A., Osmani foli për nevojën për t’u ulur me administratën e re të Biden dhe për ta rishikuar marrëveshjen e nënshkruar në shtator nën presidencën e Donald Trump.

“Ne duhet të flasim me ekipin e Biden dhe të shohim se çfarë mendojnë ata për ato çështje, të cilat u arritën si zotime dhe jo marrëveshje,” tha ajo. “Sigurisht që është e rëndësishme që kompanitë amerikane të investojnë këtu, por ka pyetje mbi çështje të tilla si [liqeni] Ujmani për të cilat ne duhet të shohim se cili është pozicioni i Biden.”

Presidentja në detyrë shtoi se ajo ishte e paanshme lidhur me jetëgjatësinë e marrëveshjes dhe ndikimet e saj. “Unë nuk paragjykoj,” tha Osmani. “Unë nuk jam nga ata që mendojnë se administrata e re thjesht do të hedhë këtë marrëveshje në kosh plehrash.”

Ajo gjithashtu beson se Kosova duhet ta ketë një aleat tek Biden në lidhje me zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, parimet për të cilat u ra dakord në vitin 2015 por më vonë u shpallën në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës nga Gjykata Kushtetuese.

“Kosova si një shtet i pavarur dhe funksional nuk është vetëm një projekt i popullit të Kosovës, por edhe një projekt amerikan, dhe unë jam i bindur që [administrata e Biden] është e përkushtuar për të mbajtur një Kosovë funksionale,” tha ajo.

“Me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015, Kosova nuk mbetet funksionale,” shtoi Osmani. “Pra, ajo që ne do të bëjmë është të përpiqemi t’i bindim ata se [marrëveshja] është e dëmshme për projektin tonë të përbashkët dhe se çdo gjë që ndodh duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës.”

 

Shkrimi është publikuar fillimisht në Prishtina Insight