Foto: Arkiv

Vjosa Osmani flet për rolin e Agim Veliut në Qeverinë Kurti

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani njëherësh nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se bashkëpartiaku i saj Agim Veliu e ka thënë disa herë se qeverisja e LDK me Vetëvendosjen do të jetë e shkurtër.

“Agim Veiu ka thënë shumë herë edhe brenda strukturave të partisë se kjo [Qeveria]do të jetë e shkurtë”, tha ajo në KTV.

Osmani ka shtuar se për të ka qenë e pakuptueshme që një kundërshtues i koalicionit LVV-LDK të jetë pjesë e qeverisë.

“Nëse e kundërshton qeverinë, pse duhet të jesh aty.  Nuk ka kuptim të jesh në qeveri dhe çdo natë të deklarohesh kundër saj”, tha nënkryetarja e LDK-së.

Megjithatë, Osmani tha se në situatën e coronavirusit, nuk ka qenë koha që as kryeministri Albin Kurti ta shkarkoj ministrin e Brendshëm Agim Veliu dhe as të inicohet mocioni ndaj qeverisë.

“Shkarkimi nuk është dashur të bëhet në atë moment, por në të njëjtën kohë kam menduar se nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë që nuk beson ai vet [për Agim Veliun]. Nuk ka qenë në rregull momenti i shkarkimit, ashtu si nuk ka qenë ai i mocionit”, tha ajo.

Osmani e cila me 25 mars ka votuar kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, ka shtuar se nuk e ka shkelur asnjë parim të partisë së saj, LDK-së.

“LDK-në sot nuk e mban gjallë asnjë emër i përvecëm, por e mban gjallë anëtarësia e saj, unë kam kërkuar që të mos harrojmë se ne prap kthehemi te qytetari. Nuk ka asnjë parim e qëndrim të vetëm që unë e kam shkelur dhe mua më vjen keq deri në çfarë mase dezinformohet anëtarësia e LDK-së”, tha ajo.

“Nëse dikush mundohet të ma tregojë mua derën, le ta provojë dhe ta shohim se kush do të del i pari nga ajo derë”, u shpreh Osmani.