Vjosa Osmani flet pas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit

Presidentja në detyrë dhe kandidatja për deputete, Vjosa Osmani, ka falënderuar të gjithë votuesit që votuan listën ku edhe ajo bënte pjesë, atë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 400 mijë vota ndërsa, vetë Osmani e cila bartte numrin 2 në listë mori mbi 300 mijë vota. Kështu, Osmani u bë personi më i votuar ndonjëherë në zgjedhje.

Ajo tha se do të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe nuk ka fjalë për të falënderuar të gjithë përkrahësit.

Ky është njoftimi i plotë i saj në Facebook:

Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët e Kosovës gjithnjë e vulosin këtë me besim. Sado e vështirë e me pengesa që ishte kjo rrugë, ju kurrë nuk na latë vetëm. Ishit e mbeteni fuqia jonë më e madhe, ata që na dhatë vullnet në kohë jo të lehta, e entuziazëm e shtytje përpara në kohë të mira. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë ndjenjën e thellë të mirënjohjes për besimin tuaj, prandaj FALEMINDERIT pafundësisht të gjithë 438 mijë e 334 votuesve të listës sonë të referendumit. Zëri juaj kumboi fuqishëm si kurrë më parë.

Nuk ka asgjë më të shenjtë e asnjë përgjegjësi më të rëndësishme se sa ky besim i marrë nga secili prej jush, prandaj do të punojmë që ta kthejmë atë në interes e zhvillim të vendit duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Besimi juaj do të jetë udhërrëfyesi ynë në këtë drejtim.

Kjo fitore historike, prandaj, më së shumti e mbi të gjitha i takon qytetarëve të Republikës sonë.