Vjosa Osmani e Shpend Ahmeti e vlerësojnë aktivitetin e UNICEF-it në mbështetje të fëmijëve me nevoja të veçanta

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka cilësuar mbresëlënës aktivitetin e UNICEF-it në Prishtinë – vendosjen e 120 karrocave në shenjë thirrjeje për përfshirjen më të madhe të fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Mbresëlënës aktiviteti i fundit i UNICEF-it në Prishtinë. Nuk ka përparim pa gjithë përfshirje. Komuna e Prishtinës duhet të prijë në këtë drejtim”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Duke cituar, Zërin e Amerikës, Ahmeti ka njoftuar se ky aktivitet do të zgjasë 1 javë.

“120 karroca me çanta shkolle u vendosen në qendër të Prishtinës me thirrjen për përfshirje më të madhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Veprimtaria që po organizohet nga zyra e UNICEF-it do të zgjasë një javë dhe ka për synim rritjen e ndërgjegjësimit te institucionet e vendit për të përmbushur kushtet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuar. VOA – Zëri i Amerikës”, ka shkruar tutje ai.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është përkujdesur që të ndajë një letër të të riut Riad Mehmeti për të treguar se me çfarë vështirësish përballen fëmijët me nevoja të veçanta.

Osmani ka thënë se është obligim i institucioneve që të jenë afër fëmijëve më nevoja të veçanta.

“Është obligim i të gjitha institucioneve që të jemi afër të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre me nevoja të veçanta, dhe të angazhohemi për të ardhmen e tyre. Andaj, ju ftoj të bëhemi shembull për gjithëpërfshirjen sociale. Një shoqëri e mirë për fëmijët është një shoqëri e mirë për të gjithë”, ka shkruar Osmani në facebook.

Kjo është letra e plotë e publikuar nga kryeparlamentarja Osmani:

Nga Rijad Mehmeti

Letër nga karantina – Fëmijët me nevoja të veçanta janë përherë të mbyllur, por çka keni bërë ju të ndryshoni këtë?

Një moment reflektimi në një krizë që na bashkon të gjithëve, pa dallime.

Ditët po ecin ngadalë, nuk ju gënjejë. Afër vetës kam gjithë familjen dhe gjithçka që më duhet të mbijetojë, madje edhe një kompjuter prej të cilit po marrë informacionet e nevojshme sa për të mos thënë që nuk e di se çka po ndodh jashtë pragut të derës. Por asnjëra nga këto nuk janë të krahasueshme me ditët jashtë shtëpisë, pranë shokëve të klasës, mikut tim më të ngushtë Adrijanit dhe orëve mësimore. Si për çudi edhe orët e gjata mësimore po më mungojnë sot. Sikur edhe ato gjithë herë paskan qenë pjesë të asaj që e quajë “liria ime”. Por ja që tek sot e kuptova këtë më mirë. Ndoshta kjo që po ndodh nëpër gjithë botën do të na shërbejë më shumë për një reflektim të tillë, por jo vetëm. Jo shumë fëmijë si unë, që lëvizin me karrocën e tyre ndihmëse, e shijojnë mësimin si unë çdo ditë, apo kanë miq si unë që kam Adrijanin. Dhe nëse sot ju duket vështirë juve të qëndroni në karantinë, paramendojeni si ndihen gjithë miqtë e mi që jetojnë me nevoja të veçanta dhe detyrohen të jetojnë kështu për tërë jetën e tyre, të mbyllur e të distancuar socialisht. Ma thoni, si ju duket? Ndoshta këto ditë do të ju ndihmojnë të gjithëve, politikanë e shoqëri, që të reflektojnë mbi këtë, sidomos mbi këtë, dhe të bëjnë më shumë për përfshirje të fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuara në arsim dhe jetë shoqërore, të ua mundësojnë këtë si çdokujt tjetër. Dhe po, mezi po pres të pres atë, të dalë nga karantina ime e të bashkohem me miqtë e mi në shkollë dhe mezi pres të shoh ditën kur përnjëmend të gjithë do të dalin, pa dallim, nga karantina sociale që kemi krijuar jo sot por me dekada për fëmijët që jetojnë me nevoja të veçanta. Deri atëherë, rrini në shtëpi, duajeni njëri-tjetrin, lajini duart dhe saherë që mërziteni për të dalë jashtë shtëpisë ndaluni, dhe bëni atë që do të duhej të bënim çdo ditë – mendoni edhe për të tjerët.

I juaji, Rijadi.

120 karroca me çanta shkolle vendosen në sheshin ‘Skënderbeu’