Vjosa Osmani - LDK
Vjosa Osmani e quan të turpshëm bllokimin e ligjit anti-COVID nga Qeveria Hoti
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’ në lidhje me bllokimin e ligjit anti COVID-19.
Osmani e ka quajtur të turpshme, bllokimin e këtij ligji nga ana e Qeverisë dhe partive të koalicionit.
Sipas saj, ky ligj do të mundësonte zbatimin e duhur dhe të ligjshëm të masave parandaluese të virusit.
“8 persona vdiqën vetëm dje për shkak të COVID-19. Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës dhe partitë e koalicionit po bllokojnë miratimin e ligjit anti-COVID, i cili do të mundësonte zbatimin e duhur dhe të ligjshëm të masave. E turpshme”, ka shkruar Osmani.
Dje, gjatë mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, paraqiti opinionin e ezkekutivit duke thënë se menaxhimi i pandemisë është mjaftueshëm i rregulluar me legjislacionin në fuqi dhe dispozitat e veçanta të Kushtetutës.
Ndërsa kryeministri Hoti në seancën e Kuvendit, tha se vlerësimi i ekspertëve ligjorë të qeverisë është se ky ligj nuk e zgjedh problemin.
“Sepse nuk mundet me ligj të kufizohen të drejtat elementare siç ka ndodhë me vendime të qeverisë së kaluar të cilat u shpallën antikushtetuese. E vetmja zgjidhje nëse duhet të shkojmë në ekstreme të kufizimit të lëvizjes në nivel vendi, kjo punë nuk bëhet me ligje, duhet ta shpallim gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Hoti.
Qeveria Hoti e konsideron të panevojshëm projektligjin e Vjosa Osmanit për pandeminë