Foto: Hykmete Bajrami/Facebook

Vjosa Osmani e Hykmete Bajrami kërkojnë që deputetët të votojnë nga distanca

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga deputetët që të përkrahet propozimi i kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani e cila tha se është një amendament i gatshëm i rregullores së Kuvendit për votim online.

“Unë po e shoh se ka mungesë të deputetëve dhe nuk kaluan marrëveshjet ndërkombëtare. Sot në agjende të Kuvendit në seancën e tretë me procedura urgjente është edhe rishikimi i buxhetit”, tha Bajrami.

Sipas Bajramit pjesa më e madhe e shpenzimeve të buxhetit sidomos pjesës që ka të bëjë me implementimin e pjesës për rimëkëmbje ekonomike vjen nga financimet e jashtme të cilat kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve.

“Ju bëj thirrje që të kaloj amendamenti i rregullores së Kuvendit që deputetet të mund të votojnë edhe nga shtëpia që të mund të bëjmë të mundshme aprovimin e këtyre huave ndërkombëtare. E kjo të mundësoj implementimin e pakos fiskale emergjente dhe fondin për rimëkëmbje ekonomike sepse qytetarët i kemi në pritje”, tha ajo.