Vjosa Osmani drejton seancën e sotme të Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani do ta drejtojë seancën e sotme të legjislativit.

Osmani ka hapur punimet e seancës së sotme plenare, në të cilën do të shqyrtohen disa pika të rendit të ditës.

Kryetarja e Kuvendit, dje nuk ka udhëhequr seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë, në të cilën kryeministër u bë bashkëpartiaku i saj nga LDK-ja, Avdullah Hoti.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur të papërgjegjshëm mos-drejtimin e seancës nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ku u votua Hoti si kryeministër.

Njëjtë e ka quajtur edhe mosdorëzimin e detyrës së kryeministrit nga Albin Kurti te Avdullah Hoti.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë gjithashtu se Kurti para se ta shkarkonte Hotin nga pozita e zëvëndëskryeministrit e ka shkarkuar veten.