Vjosa Osmani dhe Arben Vitia vizituan Klinikën e Pediatrisë me rastin e fillimit të misionit “Gift of Life”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizituan Klinikën Pediatrike në QKUK, me rastin e fillimit të misionit të shoqatës ndërkombëtare “Gift of Life” për trajtimin karidokirurgjik të fëmijëve kosovar.

Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin Facebook.

Presidentja Osmani- Sadriu gjatë kësaj vizite shprehu falënderimin për kontributin e tyre të vazhdueshëm, gjersa e vlerësoi lart ardhjen në këtë kohë të vështirë.

“Faleminderit për gjithçka që keni bërë, sepse, tash, gjatë pandemisë, nuk është e lehtë. Ju po rrezikoni jetët tuaja dhe të familjarëve tuaj nga ndonjë infeksion i mundshëm. Por, kjo kurrë nuk do të harrohet. Do të jemi përjetësisht falënderues”, tha Osmani.

Organizata “Gift of Life” vitin e kaluar kishte planifikuar rreth 90 operime në Kosovë, por i anuloi ato për shkak të situatës me Pandeminë COVID-19.

Ministri Vitia çmoi lart punën e jashtëzakonshme te kësaj organizate që për vite me radhë realizon misione të tilla, ku përveç që po ndihmojnë fëmijët, janë duke kontribuar shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm profesional të stafit mjekësor vendor.

“ Jam këtu për të shprehur mirënjohjen, por gjithashtu për t’ju treguar juve që ne jemi këtu për ta bërë gjithçka të mundur. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar juve. Faleminderit dhe shpresojmë për projekte të ardhshme, shpresojmë për më shumë jetë të shpëtuara”, theksoi Vitia.

Drejtori i SHSKUK-së, Dr. Valbon Krasniqi duke njoftuar rreth angazhimit oer organizimin e ketij misioni sqaroi se një ekip i përbërë nga 17 ekspertë kardiokirurgë amerikanë dhe italianë, të asistuar nga mjekët vendor, do të kryejnë intervenime në 30 fëmijë me probleme në zemër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“ Këtë vit kemi arritur të krijojmë kushtet për realizimin e misionit për trajtimin e fëmijëve me probleme në zemër, tha Krasniqi duke falënderuar mjekët e “Gift of Life”. dhe duke njoftuar se planifikohen edhe 2 misione te tilla gjate ketij viti.

Drejtori i “Gift of Life”, Rob Raylman, u shpreh i lumtur me prezencën e krerëve institucionalë dhe për përkrahjen që morën, ndërkaq theksoi rëndësinë e misionit që udhëheq, por edhe rolit në shpëtimin e fëmijëve me probleme në zemër.

Ekipi mjekësor, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri në fundjavë, përbëhet nga kardiokirurgët dr. Françesko Santoro dhe dr. Ribiera Santoro, nga kardiologët dr. Herbert Stern dhe dr. Roberto Tumbarello, me kolegë të tyre.