Vjosa Osmani debaton me deputeten e LDK-së për pandeminë

Kreytarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka replikuar me deputeten e Lidhjes Demokratike, Vlora Hajnuni, në lidhje me Ligjin për pandeminë.

Osmani kërkoi nga deputetja e LDK-së që të mos përhap dezinformata, në lidhje me ligjin.

“Ju lutem deputete mos përhapni dezinformata. Prej fillimit kemi thënë që ky Ligj nuk e shëron virusin, por e lufton atë. E bën më të lehtë për ata që po përballen në front të parë me pandeminë. Me anë të tij, krijojmë bazë ligjore për policët, të cilët çdo ditë përballen me qytetarë, që i thonë ‘nuk ke bazë ligjore me më dënu’. Ky Ligj iu lehtëson punën policëve”, ka thënë Osmani.

Ndërsa Hajnuni iu përgjigj kryetares së Kuvendit, duke thënë se nuk ka jap dezinformata.

“Do duhej të respektoni mendimin tim ndryshe. Nuk kisha pas qef me u lëshu te fjala jote ‘dezinformatë’. Unë nuk thash që ju e keni bërë, nuk thash që keni spekulu që nuk ka masa ndëshkimore, por thash që ky Ligj duhej të reflektonte rekomandimet e IKShPK”.

Kuvendi po diskuton Projektligjin për luftimin e pandemisë COVID-19, ndërsa më herët ka dështuar për të hyrë në rend të ditës Ligji për rimëkëmbje ekonomike.

Hoti: Ligji për rimëkëmbje ekonomike mundësonte tëheqjen e kursimeve personale dhe fondit të AKP-së