Vjosa Osmani: BE-ja të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës nga Serbia e jo nga Kosova

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës nga Serbia e jo nga Kosova.

“Askush nuk ka mandat që ta rinegociojë kushtetutën tonë e cila tashmë në vetvete përfshinë shumë koncesione”, ka thënë Osmani sot gjatë një takimi virtual me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Vjosa Osmani ritheksoi se për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nevojitet bashkërendim dhe unifikim i qëndrimeve të tërë spektrit politik në Kosovë.

“Në mënyrë që marrëveshja që do të arrihej në Bruksel të gjejë implementim dhe të konsiderohet e pranueshme në vendin tonë, konsideroj që duhet të punohet në mënyrë aktive drejt unifikimit të qëndrimeve dhe kërkesave të tërë spektrit politik në vend” tha ajo.

Sipas saj,  marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe e tillë që e respekton Kushtetutën e vendit tonë, integritetin territorial dhe parimin e unitaritetit të shtetit.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, muajin e kaluar kishte përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është ‘Bibël’.

“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”, kishte  thënë Lajçak në Beograd me 15 tetor.