Vjosa Osmani - Foto: KALLXO.com

Vjosa Osmani: Asociacioni me kompetenca ekzekutive është i rrezikshëm për Kosovën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka thënë se krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive është i rrezikshëm për Kosovën,

Osmani tha se i konsideron artificiale ‘përplasjet’ në mes të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës rreth asaj se kush e ka nënshkruar atë Marrëveshje.

“Në vitin 2013 në Kuvend Thaçi i rrinte prapa Mustafës, e kanë përkahur njëri-tjetrin për letrat e nënshkruara dhe mua më duket përplasje artificiale. Krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive është i rrezikshëm për Kosovën”, ka thënë Osmani.

Ajo ka folur edhe në lidhje me seancat e radhës të Kuvendit të Kosovë, ku ka bërë të ditur se një e tillë do të mbahet këtë të premte.

“Do të kemi shqyrtimin e një propozim-amandamenti kushtetues, që është përfshirja e Konventës së Stambollit për barazi gjinore. Shpresoj në përkrahjen e deputetëve. Kemi themelimin e Komisionit për anëtarët e bordit të RTK-së dhe pastaj e kemi zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka bërë të ditur se kanë marrë kërkesë nga Lëvizja Vetëvendosje që kryeministri Hoti të ftohet në raportim  për 100-ditëshin e qeverisjes dhe sipas saj, është vendosur që të ftohet gjatë javës së ardhshme, kurdo që të caktohet.