Vjosa Osmani: Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës

Masakrën e Srebrenicës të 26 viteve më parë e ka kujtuar sot edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Duke kujtuar gjenocidin ndaj popullit boshnjak, presidentja potencon se Kosova e bashkëndjen dhimbjen me nënat në Srebrenicë, pasi që sipas saj, askush më mirë se populli i Kosovës nuk e njeh këtë dhimbje.

“Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës. Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim”, ka shkruar ajo në facebook.

Sipas saj, aktet e tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë por edhe të historisë. Presidentja po ashtu ka kujtuar edhe mbetjet mortore të 19 të vrarëve të cilët sot do të varrosen 26 vite pas vrasjes.

“Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!”, ka theksuar Osmani.

Ajo nënvizon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid dhe një gjë të tillë duhet ta pranojnë të gjithë, kështu duke kujtuar edhe Rezolutën për gjenocid në Srebrenicë të miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga OKB.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Të mërkurën, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.