Vjosa Osmani as sot nuk po merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, nuk po merr pjesë as sot në mbledhjen e Kryesisë së partisë së saj.

Pak minuta më parë ka nisur mbledhja e Kryesisë së LDK-së, në të cilën pritet të vendoset për emrat nga LDK-ja të ministrave të Qeverisë Hoti, e cila pritet të votohet nesër në ora 11:00.

LDK deri më tani ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me AAK-në, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe pritet të marrë mbështetjen edhe të partive të tjera joserbe.

Ndërkaq, Vjosa Osmani, e cila është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se zgjidhja më e mirë në këtë moment do të ishte unifikimi i skenës politike rreth një figure apartiake në mënyrë që Qeveria e re të mos varet nga votat e Listës Serbe.

Ajo ka përsëritur edhe njëherë, se zgjedhjet e reja do të legjitimonin institucionet e reja.

Osmani ka thënë për KALLXO.com se në këtë moment për Kosovën, opsioni më i mirë do të ishte “një qeveri transitore me mandat 6-9 muajsh, e drejtuar nga një figurë unifikuese dhe me ministra teknikë”.

“Një ide e tillë do të funksiononte vetëm nëse do të pajtoheshin të gjithë sepse do të kërkonte konsensus rreth një figurë unifikuese jopartiake. Pra që nuk varet nga Lista Serbe dhe parandalon agjendën për ndryshim kufijsh. Prandaj interpretimet tendencioze se kjo është kundër dikujt nuk qëndrojnë. Unifikimi asnjëherë nuk e ka dëmtuar Kosovën por vetëm e ka shtyre përpara atë”, ka thënë Vjosa Osmani në një përgjigje për KALLXO.com.

“Për më tepër e kam sqaruar që vazhdoj të mendoj që vetëm zgjedhjet i risjellin institucioneve legjitimitet”, ka thënë tutje ajo.

Vjosa Osmani shpjegon idenë e saj për qeveri transitore me ministra teknikë

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!