Çekani i drejtesise - Ilustrim
Vjetërsohet lënda ndaj të akuzuarve lidhur me projektin e ndërtimit të shkollës në Podujevë
Zyrtari i inspektimit të projekteve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Musa Shala dhe drejtori i kompanisë “Ndërtimi”, Mustafë Mustafa nuk do të ndiqen më penalisht për keqpërdorim të detyrës.
Kjo pasi lënda ndaj tyre në këtë pikë ka arritur kohën e vjetërsimit dhe kryetarja e trupit gjykues, Alltëne Murseli, jashtë seancës, me datë 15 shkurt 2021, ka marrë aktvendim me të cilin është hudhur aktakuza e Prokurorisë në Prishtinë.
Njëri nga të akuzuarit, përkatësisht Musa Shala ngarkohet edhe me veprën e marrjes së ryshfetit, për të cilën do të vazhdojë të gjykohet.
Sipas Prokurorisë këto vepra të akuzuarit i kanë kryer lidhur me tenderin për ndërtimin e shkollës së mesme në Podujevë në tetor të vitit 2009.
KALLXO.com ka siguruar akvendimin e Gjykatës, në të cilën thuhet, se ndjekja penale për veprën e keqpërdorimit të pozitës për të cilën janë akuzuar Mustafa dhe Shala është parashkruar-vjetërsuar,me datë 14 shkurt 2021.
“Gjykata pasi shqyrtoi shkresat e lendës dhe pas vlerësimit duke vepruar sipas detyrës zyrtare, konstatoj se në rastin konkret kundër të pandehurve Musa Shala dhe Mustat Mustafa për veprën penale keqëpërdorimi i pozites zyrtare nga neni 422 par.1 te KPK-së, sepse eshte shkaktuar parashkrimi absolut dhe ndalesa absolute e ndjekjes penale. Meqenëse vepra penale si në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Musa Shala dhe Mustafë Mustata e kanë kryer me datë 14.02.2011 sipas dispozitave të KPK, është vepër penale keqpërdorim i pozitës zyrtare nga neni 422 par 1 të KPK-së dhe për të cilën KPK, ka paraparë dënim me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vite”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës.
Kurse pala e dëmtuar, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë-MASHT, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
Seanca e radhës në këtë rast, do të mbahet më 23 prill.
Sipas aktakuzës i pandehuri, Musa Shala si person zyrtar në mënyrë të drejtpërdrejt ka kërkuar dhe pranuar përfitim në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare. Ai akuzohet se ka kërkuar nga Nysret Berisha pesë mijë euro të cilat i ka pranuar në lokalin “Albana”.
Ndër tjera sipas aktakuzës ai ka nënshkruar situacionin e dytë në vlerë prej 155,202.04 euro sipas raportit të pagesës.
Sipas aktakuzës, Shala si zyrtar i inspektimit të projekteve, përkatësisht projekt-menaxher në MAShT, në dosjen e tenderit për punë në vlerë të madhe, përgatitur më 14 gusht 2009 me titull “Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme”, pas lidhjes së kontratës mes autoritetit kontraktues përfaqësuar nga Xhemajl Buzuku dhe operatori ekonomik “Ndërtimtari” SH.P.K, përfaqësuar nga Avni Mustafa më 9 tetor 2009 në vlerë prej 2.226.064.30 euro dhe pasi që operatori ekonomik “Ndërtimtari” me bashkëpronarët Avni Mustafa dhe Mustafë Mustafa, i cili si porositës e ka përfaqësuar kontratën, e garantuar nga Rafet Ibishi, e të cilët e kanë fituar këtë tender me çmimin e përmendur, operatori ekonomik “ Ndërtimtari” më 14 shkurt 2011 ka nënkontraktuar me “Con Inga”, SH.P.K pronë e bashkëpronarëve Nysret Berisha dhe tani të ndjerit Naser Preniqi.
Në aktakuzë thuhet se Shala si zbatues i punimeve ka përfaqësuar kontratën, duke lidhur kontratën për ndërtim në shumë prej 1.384.689.50 euro, me të cilën kontratë veç tjerash është parashikuar që përfundimi i këtij projekti do të bëhet brenda 150 ditëve të punës nga dita e fillimit të punimeve për çdo faturë lidhur me punët kryera në objekt, në vlerë prej 110 mijë euro. Pagesa do të bëhet në shumë prej 100 mijë euro pa llogaritur 10% që do të ndalet nga pagesa e çdo fature.
Me këtë konsiderohet se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Kurse i pandehuri Mustafë Mustafa, i cili në cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit ligjor dhe drejtori i kompanisë së ndërtimit “Ndërtimtari”, në emër të kësaj kompanie ka lidhur kontratë me autoritetin kontraktues në vlerë prej 2,226,063.30 euro e më pas ka lidhur kontratë ndërtimi me të njëjtin autoritet kontraktues me çmim kontraktues tjetër, në vlerë prej 1.384,689,50 euro, duke nënkontraktuar mbi vlerën 40% të vlerës totale të kontratës gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Me këtë konsiderohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Prokuroria: Zyrtari i Ministrisë mori 5.000 euro ryshfet në projektin e ndërtimit të shkollës