Vjelljet te fëmijët, kur duhet kërkuar ndihma e mjekut?

Autor: Dr. Arbrora Bytyçi, Pediatër

Vjellja është një nga simptomat më të zakonshme te fëmijët. Fatmirësisht, të vjellat te fëmijët, rëndom janë të parrezikshme dhe kalojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Shkaqet më të shpeshta janë infeksionet virale.

Vjellja është kthimi i përmbajtjes së lukthit që hudhet jashtë nga goja dhe është një prej simptomave, parësore apo shoqëruese e ndonjë sëmundjeje. Fëmijët më të atakuar janë ata deri në moshën 5 vjeç, e sidomos të posalindurit dhe latantët.

Fëmijët janë më të prirur të kenë të vjellura, në krahasim me të rriturit, por edhe brenda moshës së të vegjëlve, disa prej tyre kanë tendencë të vjellin më shpesh se të tjerët. Gjithashtu asnjë nga rastet nuk është i njëjtë, andaj edhe trajtimi duhet të jetë konform gjendjes shëndetësore.

Vjelljet shkaktojnë parehati te fëmijët e shqetësim te prindërit, porse shumica e fëmijëve e kalojnë shpejtë, nëse ajo nuk rrjedh si pasojë e ndonjë sëmundjeje më të rëndë.

Karakteristikat e të vjellurave

Prindërit natyrshëm duhet të jenë të vëmendshëm për të kuptuar dhe treguar më pas mjekut, se e çfarë natyre ka qenë vjellja dhe si është shfaqur ajo. Kjo është e rëndësishme për shkak se vjelljet mund të kenë formë të ndryshme të shfaqjes, siç është vjellja spastike (projektile) që karakterizohet me hedhje të përmbajtjës së lukthit në distancë deri në një metër. Pra është vjellje e fuqishme, tipike te të posalindurit me stenozë hipertrofike të pilorit. Pastaj vjelljet atonike ku përmbajtja e lukthit eliminohet jashtë pa sforcim e pa hedhje në distancë, duke rrjedhur përmbajtje përskaj këndeve të gojës së foshnjës. Vjellja standarde manifestohet me mundim mesatar me tipare mes vjelljës spastike dhe atonike.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të vjelljeve te fëmijët?

Vjelljet mund të shkaktohen nga vetë organet e traktit tretës dhe jashtë tij. Shkaktarët e vjelljeve te fëmijët, janë të shumtë:

  • Sëmundjet e ezofagut, lukthit, zorrëve të holla e të zorrës së trashë.
  • Çrregullimet metabolike (ketoacidoza diabetike, uremia, hipokalemia etj).
  • Sëmundjet e sistemit nervor qendror (meningjitet, encefalitet, gjakderdhjet intrakraniale, migrena etj).
  • Infeksionet e ndryshme (pneumonia, infeksionet e traktit urinar etj).
  • Barnat e ndryshme,
  • Goditjet nga dielli
  • Helmimet nga ushqimi apo substanca të ndryshme, etj.

Por rastet më të shpeshta të vjellave kanë natyrë virale. Edhe helmimet nga ushqimi ose alergjia ushqimore gjithashtu mund të shkaktojnë të vjella. Kollitja e fortë, po ashtu, mund të nxisë të vjella, veçanërisht nëse një fëmijë ka refluks gastroezofagial.

Të vjellurat mund të jenë të shoqëruara me diarre, temperaturë dhe ndjenjë të parehatisë te fëmijët. Disa fëmijë, gjithashtu janë të prirur që të kenë të vjellura edhe gjatë udhëtimit me automjete.

Cilat janë simptomet shoqëruese që mund të ketë fëmija që vjell?

E vjellura te fëmijët, mund të jetë simptoma e vetme, por që në disa raste është shenjë e parë që diçka nuk është në rregull me shëndetin e tij. Disa fëmijë ankohen për nauze (mundim) para se të vjellin, duken të padisponuar ose edhe apatik, të përgjumur, me humbje apetiti e refuzim të ushqimit, apo edhe të kenë dhimbje barku përpara se të fillojë e vjellura.

Çfarë duhet të bëni kur fëmija juaj vjellë?

Në shumicën e rasteve, e vjellura te fëmijët mund të kaloj shumë lehtë edhe me trajtim në kushte shtëpiake. E rëndësishme është që fëmija të pijë shumë lëngje dhe të jetë i hidratuar. Qumështi i gjirit, qumësht formule i adaptuar për foshnje, solucionet rehidruese orale (ORS), janë të përshtatshme për përdorim dhe ndihmojnë që fëmija të mos dehidrohet. Ndërsa lëngjet që duhet shmagur, janë pijet që përmbajnë sasi të shtuar të sheqerit.

Për një trajtim të drejtë në kushte shtëpie, këto lëngje, e veçmas solucioni rehidrues oral, duhet t’i ofrohen fëmijës në sasi të vogla në periudha më të shpeshta kohore.

Në rastet kur vjellja shkaktohet nga virozat stinore, pos dhënies së tretësirës rehidruese përmes gojës, fëmijët duhet të inkurajohen të flejnë në periudha të shkurtëra kohore, pasi gjumi mund të ndihmoj në largimin aktit të vjelljes.

Trajtimi i të vjellave varet nga shkaku. Të vjellat nga gastroenteriti –infeksion i traktit tretës, zakonisht largohen në më pak se 24 orë, vetëm me dhënjen e tretësirës rehidruese përmes gojës. Megjithatë shqetësimet e prindërve janë të kuptueshme, por ata duhet të shtojnë kujdesin, të jenë të qetë e praktik në veprimet që duhet ndërmarrë. E rëndësishme është që të kuptojnë nëse fëmija po vjell sasi më të madhe në krahasim me sasinë e konsumuar të lëngjeve të lartëpërmendura. Gjithashtu është me rëndësi të dinë ngjyrën e të vjellurave, pasi të vjellurat me ngjyrë bile, tregojnë për sëmundje obstruktive të traktit tretës. Po ashtu kujdes duhet të vihet edhe në sasinë dhe ngjyrën e urinës së fëmijës, pasi urina me ngjyrë të errët dhe sasi të vogël, tregon për gjendje dehidrimi.

Kur duhet të konsultoni mjekun?

Konsultimi me mjekun preferohet të bëhet sa herë që prindërit ndjenjë se shëndeti i fëmijës është rënduar nga vjelljet.

Nëse fëmija nuk duket se po përmirësohet pas marrjes së lëngjeve rehidruese orale.

Kur të vjellurat nuk po qetësohen apo kur intensiteti i tyre po shtohet.

Nëse fëmija vazhdon të vjellë edhe pasi kanë kaluar më tepër se 12 orë nga fillimi i aktit të parë të vjelljes.

Nëse nuk i tolerojnë lëngjet e ofruara dhe vjellin sasinë dërmuese apo të tërën që u është dhënë përmes gojës.

Kur të vjellat e tyre kanë primesa gjaku apo kanë ngjyrë të kafët, ose kanë ngjyrë bile (jeshile).

Nëse duken letargjik.

Nëse nuk qajnë, duken të zbehtë, kanë gjuhë të shtresuar e buzë të thara, qajnë pa lot dhe sytë e tyre janë të thelluar (të halonuar), kanë sasi të zvogëluar të urinës.

Nëse e vjellura është e shoqëruar me dhimbje barku dhe/ose temperaturë.

Kur fëmija ankohet për dhimbje koke, apo qafë të shtanguar.

Këshillat e mjekut

Mos humbni kohë!. Nëse fëmija juaj ka filluar të vjellë, filloni menjëherë dhënien e tretësirës rehidruese orale (tretësirë që përmbanë elektrolitet e nevojshme dhe sasinë e duhur të ujit, sheqerit dhe kripës), e cila mund të merrët në barantore edhe pa receten e mjekut dhe të zgjedhet shija e preferuar e fëmijës.

Kur fëmija juaj ndalon të vjellat, pas disa orësh, mund t’i ofroni sasi të vogla ushqimesh të ngurta, si bukë e thekur, oriz ose pure patatesh. Kosi, çajrat e perimet gjithashtu preferohen.

Nëse e vjellura është e shkaktuar nga virozat, atëherë mbani fëmijën e sëmurë larg nga të tjerët, sa më shumë që mundeni. Këshillohet t’i lani duart me sapun pas pastrimit të të vjellave.

Të vjellurat nuk duhet të nënvlerësohen, pasi ndodh shpesh që ato të jenë rrjedhojë e sëmundjeve të ndryshme.

Mos i jepni fëmijës tuaj asnjë ilaç kundër vjelljes, përveç rastit kur është përshkruar nga ana e pediatrit.

 

Për ta kontaktuar doktoreshën ndiqni këtë link https://www.facebook.com/avicenaks