Vjedhje në zyrën e OVL-UÇK-së në Lipjan

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – OVL UÇK në Lipjan ka njoftuar se në zyrën e kësaj qendreje ka ndodhur një vjedhje ku dera është thyer dhe është vjedhur shtëpiza e kompjuterit.

“Huligajt që kanë thyer derën dhe kanë hyrë dhunshëm ne zyrë, kanë marrë me vete shtëpizën e kompjuterit”, është bërë e ditur në njoftim, ku tutje është thënë se veteranët e kësaj dege shprehen të indinjuar me këtë rast.

“Me këtë rast, ne Veteranët e kësaj dege shprehim indinjatën tonë dhe pakënaqësinë më të thellë!? Edhe kjo po ndodhka! Sipas kësaj po shihet që, numri i atyre që janë anti UÇK dhe antikombëtar po rritet mjerisht”, është thënë në njoftimin e kësaj organizate.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e OVL-UÇK-së në Lipjan, Ali Mejzinolli, i cili ka thënë se ky rast është paraqitur në polici.

“Ne në ora 9 e fillojmë punën në zyre dhe kur kam shkuar sot në mëngjes e kam gjetur derën e thyer… E kam thirrë policinë, kanë qenë policia, forenzika, edhe tash është në polici”, është përgjigjur Mejzinolli për KALLXO.com i cili tutje ka thënë se në këtë kompjuter gjenden të dhënat e nevojshme për këtë organizatë.

“Nuk e di se çka u duhet atyre dokumentacioni që e kam pasur aty, domethënë regjistrat, dokumentacion tjerë, historikun e komplet organizatës, nuk e di kujt i hyn në punë ajo. Kam mbetur i habitur”,

Lidhur me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe ende është në pritje të përgjigjes.