Vjedhje në një tyrbe në Pejë, këshilltari i BI thotë se është rasti i pestë brenda një viti

Dy persona të panjohur dyshohet të kenë vjedhur një shumë të parave në një tyrbe në Pejë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, vjedhja dyshohet se ishte bërë në oborrin e xhamisë afër tyrbes.

Mirëpo këshilltari i Bashkisë Islame në Pejë, Fuad Hoxhaj ka sqaruar se vjedhja është bërë në tyrben “Gjylfehatyn” e cila është ngjitur me oborrin e xhamisë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Hoxhaj ka shpjeguar se më datën 16 maj, rreth orës 01:40, dy persona me shufra të metalta me forcë kanë hyrë në brendësi të objektit të tyrbes.

“Persona për neve të pa njohur mbrëmë më datë 16, rreth orës 01:43 kanë ardhë dy persona me shufra të metalta, pas një orë e diçka përpjekje, kanë arritur që të hapin derën e tyrbes. Nuk i kemi dëgju se nuk kemi roje aty dhe pas përfundimit të namazit të jacisë, afërsisht pas orës 10 mbyllet dhe aty më nuk ka lëvizje deri në namazin e sabahit”, ka shpjeguar Hoxhaj.

Hoxhaj ka theksuar se ky është rasti i pestë brenda një viti që po thyhet tyrbja e njëjtë.

“Kjo është hera e pestë që po thyhet tyrbja e njëjtë. Ka pasë një tetim edhe me datën 8 mars të këtij viti por, fatëmirësisht i ka pa dikush dhe ata janë ikë. Kjo ka ndodhë para namazit të akshamit domethënë ka qenë ditë kur është tentu. Herave tjera është thy natën”, rrëfen Hoxhaj.

Për rastin e djeshëm, Hoxhaj ka thënë se personat që dyshohet se kanë kryer veprën, janë parë në kamera të cilat më pas i janë dorëzuar Policisë.

“I kemi shiku më pas kamerat, i kemi pa dy persona të maskuar kanë ardhë dhe kanë thy derën me ato mjetet e forta dhe e kanë marrë një shumë të parave. Më pas ka ardhë policia dhe ja kemi dhënë pamjet e kamerave. Tash jemi t`u pritë tash prej Policisë me na njoftu”, tha Hoxhaj për KALLXO.com.

Për shumën e parave, Hoxhaj thotë se nuk është në dijeni sa sa ka qenë shuma që është vjedhur duke shtuar se “Njerëzit që vijnë për vizitë lajnë kapak pare dhe nuk e besoj që ka qenë shumë e madhe”.