
Vjedhje e veturave e marketeve - Gjashtë të arrestuar në 24 orët e fundit në disa qytete
Gjashtë persona janë arrestuar në 24 orët e fundit, nën dyshime për vjedhje në disa qytete të Kosovës.
Në Leposaviq janë arrestuar dy persona, pasi dyshohet se kanë vjedhur një veturë.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë vjedhur një veturë me targa të Serbisë, e cila ishte pronë e ankuesit mashkull kosovar. Me vendim të Prokurorit, pas intervistimit të të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.” – theksoi Policia.
Kurse, në Fushë Kosovë, sipas Policisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer disa rasteve të vjedhjeve – përfshirë vjedhje të rënda.
“Me dyshimin e bazuar për kryrjen e disa rasteve të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar – shtetas i Maqedonisë së Veriut. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – bëri të ditur Policia e Kosovës.
Ndërkaq, në Prishtinë, cak i vjedhjeve ishin disa dyqane. Dy persona janë arrestuar, meqë dyshohet e kanë vjedhur në një market.
Sipas Policisë, gjësendet e vjedhura janë gjetur dhe i janë kthyer pronarit, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Për vjedhje në një market, në Prishtinë u arrestua gjithashtu edhe një shtetase e Maqedonisë së Veriut, për shkak se e njëjta dyshohet të ketë kryer vjedhje në dyqanin e ankuesit kosovar.