Vjedhje brenda zyrave të Asociacionit të Gazetarëve

Një vjedhje raportohet se ka ndodhur brenda zyrave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se policia është njoftuar sot rreth orës 09:00.

“Rreth orës 09:00,kemi pranuar informatën për një rast vjedhje, në rrugën “Perandori Justinian”, në Prishtinë, saktësisht në zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore të cilat po merren me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se në të dhënat fillestare dyshohet se personat e dyshuar gjatë natës kanë hyrë me forcë brenda zyrës së AGK-së  dhe kanë vjedhur një foto aparat, një llap top,  dhe një televizor.

“Aktualisht njësitet policore janë duke kryer  ekzaminimet në  vendin e ngjarjes. Për çdo të dhënë për rastin do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Ahmeti.