Vjedhja e veturës në stacion policor, suspendohet nga puna një polic

Një zyrtar policor është suspenduar nga puna, pas vjedhjes së veturës së sekuestruar, e cila po qëndronte brenda oborrit të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut.

KALLXO.com raportoi dje se një veturë e tipit ‘Audi A4’, ngjyrë e zezë po dyshohet se të premten është vjedhur gjatë natës brenda oborrit të Policisë në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut.

Nga Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK) kanë konfirmuar për KALLXO.com se pritet të ndërmirren veprime hetimore për të sqaruar rrethanat.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK është njoftuar për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe lidhur me të njëjtin rast është suspenduar një zyrtar policor përderisa pritet që të ndërmirren veprime hetimore për të sqaruar rrethanat në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Një veturë e tipit ‘Audi A4’, ngjyrë e zezë po dyshohet se është vjedhur gjatë natës brenda oborrit të Policisë në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut.

Vetura në fjalë ishte sekuestruar nga policia nën dyshimin se është e falsifikuar.

Kjo veturë ishte sekuestruar ditën e premte nga Policia, por hetimet pritet ta zbulojnë se kur është larguar nga aty, pasi që alarmi se nuk gjendet brenda stacionit është dhënë sot në mëngjes.

Gjithashtu hetimet pritet ta zbulojnë se si ka arritur vetura të nxirret jashtë, pasi që stacioni policor është i rrethuar dhe ruhet nga zyrtarët policor.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë Besim Hoti.

“Ne e kemi iniciuar një rast, është njoftuar prokurori për këtë punë dhe jemi duke punuar në atë drejtim”, ka thënë Hoti.

“Ne e kemi sekuestruar një veturë nën dyshimin se është vjedhur, mirëpo diku pasmesnatës, nuk po dihet ende koha, sepse është duke u hetuar, është marrë-vjedhur parimisht nga një kryerës që është ende i panjohur. Ne normalisht, e kemi njoftuar edhe Inspektoratin Policor për këto veprime dhe së bashku me prokurorin janë në zhvillim e sipër”, tha Hoti.