Artane Rizvanolli, Xhelal Svecla

Vjedhja e rrymës mund t’i kushtojë konsumatorëve dhe buxhetit rreth 100 milionë euro

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli të premten ka udhëhequr një takim me përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë dhe sundimit të ligjit për të diskutuar për luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike.

Sipas raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, këto humbje në vitin 2021 kanë qenë 6.16% apo 386 GWh.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me çmimet e importit të energjisë elektrike që pritet të mbretërojnë gjatë muajve në vijim, vazhdimi i një trendi të tillë të humbjeve komerciale mund t’i kushtojë vendit (konsumatorëve dhe buxhetit) më se 100 milionë euro gjatë sezonës së vjeshtës dhe dimrit.

Në këtë takim takim kanë marrë pjesë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës si dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media bëri të ditur se Rizvanolli ka thirrur këtë takim me qëllim të koordinimit ndër-institucional për shmangien e humbjeve komerciale në shpërndarje të energjisë elektrike, apo vjedhjeve të energjisë elektrike.

Ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për siguri dhe sundim të ligjit konform kompetencave të tyre ligjore, që duke pasur parasysh krizën energjetike në vend, të trajtojnë parandalimin dhe luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë e përgjithshme dhe të qëndrueshëm të furnizimit me energji në Kosovë.

Tutje, në komunikatë theksohet se gjatë takimit, ministri Xhelal Sveçla ka potencuar që luftimi i vjedhjes së energjisë është temë e rëndësishme pasi ngjarjet globale ndikojnë në sigurinë energjetike.

“Luftimi i vjedhjeve të energjisë elektrike është temë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne pasi ngjarjet globale patjetër që ndikojnë në sigurinë energjetike, dhe energjia në siguri të vendit. është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi stabilitet energjetik pasi është parakusht për stabilitet të sigurisë kombëtare”- ka thënë ministri.

Këshilli Gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Shtetit e Policia e Kosovës kanë shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim që të trajtojnë luftimin e vjedhjes së energjisë me prioritet të lartë.

Ministria njofton se pas takimit fillestar për koordinim, do të mbahen takime të radhës teknike për hartimin e planit të veprimit e për të identifikuar mënyrat specifike se si mund të luftohen vjedhjet e energjisë nga të gjitha institucionet relevante.