Deputeti i LVV, Mirsad Shkreta Foto: Facebook

Vjedhja e 50 mijë eurove në banesën e deputetit Shkreta, Prokuroria nis hetimet

Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta në orët e para të së premtes, më 24 qershor dyshohet se i janë vjedhur 50 mijë euro në banesën e tij.

Kjo ngjarje është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët e kanë cilësuar rastin si “Vjedhje e rëndë”.

“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Vjedhja e rëndë’”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Tutje ajo ka thënë se në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qellim të ndriçimit të gjitha rrethanave të kësaj çështje penale.

Në raportin e Policisë së Kosovës që e ka siguruar KALLXO.com, deputeti Shkreta ka treguar se nuk kishte qenë në banesë që nga mëngjesi i datës 23 qershor, ditë e enjte.

Ndërsa kur ka hyrë në banesë, pak pas mesnate, të premten e 24 qershor ka hetuar se banesa iu është vjedhur dhe ka hetuar se nuk janë paratë.

Ai më të hapur banesën e tij, thuhet se e ka vërejtur se dikush kishte hyrë brenda dhe kishte vjedhur gjëra me vlerë.

Në raportin e Policisë thuhet se nuk kanë gjetur shenja se dera e banesës është hapur me forcë.

Dyshimet e Policisë janë se dera është hapur me çelës.

“Pala është intervistuar dhe dyshohet se i dyshuari ka hyrë në banesë me çelës për shkak se nuk ka dëshmi që është depërtuar me forcë”, thuhet në këtë raport të policisë që e ka siguruar KALLXO.com.

Që nga e shtuna në mbrëmje, ashtu edhe sot, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me deputetin Shkreta, mirëpo ai nuk e ka hapur telefonin. Thirrjeve telefonike nuk i është përgjigjur as ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në anën tjetër, Shkreta më 29 mars të këtij viti ka dorëzuar raportin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Mirëpo, në tabelën ku tregohet se sa para të mbajtura në institucione financiare ka deputeti Shkreta, nuk figurohen parat që pretendohet se janë vjedhur.

Sipas raportit të Antikorrupsionit, në dy llogari bankare, deputeti Shkreta ka deklaruar se posedon në total 101 mijë e 689 në emër të tij.

Ai po ashtu ka deklaruar edhe paratë në tri llogaritë e bashkëshortes së tij, që në total janë 21 mijë e 98 euro.

Dosja e Policisë – Si e raportoi vjedhjen e 50 mijë eurove deputeti Mirsad Shkreta