Kartela bankare, Foto: Pixabay

Dyshohet se vodhën të dhënat e kartelave të klientëve dhe blenë kriptovaluta, aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare dhe lëshim të çeqeve të rremë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet A.S. dhe E.B.

Sipas aktakuzës, i dyshuari A.S., në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në biznesin ‘Neptun’, ka keqpërdorur pozitën duke iu vjedhur dhe fotografuar të klientëve të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat ishin përdorur për blerje në biznesin e lartëcekur.

Më tutje, thekson aktakuza, i dyshuari këto të dhëna i ka përdorur për të bërë blerje të kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh, ndërsa të dëmtuave iu ka shkaktuar dëm material në shumën prej 6 mijë e 124 euro.

Po ashtu, i dyshuari A.S., këtë herë në bashkëkryerje me të dyshuarin tjetër E.B., ka keqpërdorur kartelën e bankës së një të dëmtuare, duke ia vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelës bankare, e që më pas prapë i kanë përdorur për të blerë kriptovaluta. Të dëmtuares, sipas Prokurorisë, i kanë shkaktuar dëm material prej 1 mijë e 236 eurove.

Me këtë të pandehurit, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, thuhet në fund të njoftimit të Prokurorisë së Prishtinës.