Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

"Vizitat" e kandidatit të PDK-së shkollë më shkollë, avokati: Ai e shkeli Kodin Etik, s'bëri shkelje tjetër

Faton Fetahu, avokat dhe përfaqësues i kandidatit të PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, tha se ai nuk ka qenë në dijeni për shkelje të mundshme në vendvotime në ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor.

“Është tërësisht jo e ndershme dhe joprofesionale të evidentohet si një presion që do ta mininonte procesin zgjedhor prania fizike e Ballazhit, për çka se nga bindjet e mia dhe pas bisedës me të, ai ka thënë se nuk e kam ditë për shkelje që mund të bëjë”, tha Fetahu në “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, Ballazhi e ka shkelur Kodin Etik Zgjedhor dhe jo ndonjë ligj tjetër.

“Z. Ballazhi e ka shkelur kodin e etikës, një akt ligjor juridik i zbatuar në ditën e zgjedhjeve”, shtoi ai.

Tutje, ai tha se pretendimet për parregullsi nga ana e kandidatit për kryetar, Rufki Suma, bazën e kanë vetëm tek heshtja zgjedhore.

“Shumica e pretendimeve për parregullsitë e z. Suma bazën e kanë te heshtja zgjedhore. Ndërkohë, te ligji për zgjedhje përcaktohet që të apeluar në PZAP, edhe në rastin në Gjykatës Supreme apelet duhet të bëhen vetëm për ditën e votimeve, sepse për ditën e  heshtjeve zgjedhore është afat i qartë kur duhet të parashtrohen ato e që nuk janë parashtruar”, shtoi Fetahu.

Sot, Gjykata Supreme anuloi vendimi për përsëritje të zgjedhjeve në Han të Elezit, vendim ky i marrë nga ana e PZAP.

Në ditën e zgjedhjeve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mehmet Ballazhi, përveç që ka votuar për vete, është përkujdesur që t`i vizitojë të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

Disa qytetarë kishin raportuar në KALLXO.com në lidhje me këtë çështje.

‘Shkollë më shkollë’, Mehmet Ballazhi i PDK-së kreu vizita në ditën e zgjedhjeve – VIDEO