Vizita zyrtare e ministres Gërvalla pamundëson mbajtjen e seancës, akuzohet për mos deklarim të pasurisë
Ministrja e Punëve të jashtme, Donika Gërvalla – Schwartz, e akuzuar për mos deklarim të pasurisë nuk është paraqitur në Gjykatën e Prishtinës në seancën e caktuar për ditën e somte më 07.11.2024, për t`u përballur me akuzat e prokurorisë.
Sipas avokatit të saj, Arianit Koci, Gërvalla gjendet në një vizitë zyrtare jashtë shtetit në Zagreb të Kroacisë.
“Është një takim i caktuar shumë më herët se seanca, me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, janë bashkë në Zagreb, me keqardhje ju njoftoj që sot e njëjta nuk mund të prezantoj për këtë seancë, kurdo që Gjykta pas ditës së martë është e gatshme edhe ne jemi në dispozicion dhe do të vijmë në seancë”- tha Arianit Koci.
Në këto rrethana gjyqtari i çështjes, Dibran Jusufi njoftoi të pranishmit në sallë se nuk ka kushte ligjore që kjo seancë të mbahet.
Për akuzën e prokurorisë të datës 31.01.2023, ministrja Gërvalla nuk e kishte pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit fillestar të mbajtur më 07.03.2024.
Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim me të cilin ministres Donika Gërvalla – Schwarz ia kishte refuzuar kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës për mos deklarim të pasurisë.
Më 05.04.2024 avokatja e ministres Donika Gërvalla kishte kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të hidhet poshtë aktakuza ndaj ministres pasi provat sipas mbrojtjes janë të pambështetura, duke pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë.
Sipas avokates Saranda Keqekolli, nga provat që i ka bashkangjitur prokuroria në aktakuzë nuk ka asnjë prej tyre që e implikon klienten e saj se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Keqekolli këtë aktakuzë e kishte konsideruar si të mangët.
E njëjta kishte thënë se sa i përket mos deklarimit të të ardhurave personale të bashkëshortit të të pandehurës, e pandehura kishte menduar se meqenëse ai është i nënshtetësisë gjermane dhe nuk ka lidhje fizike e juridike me Kosovën, të dhënat e tij mbrohen me ligje gjermane. Sipas Gërvallës, Ligji për privatësinë e të dhënave si dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale përcakton se është e ndaluar që të zbulohen të dhënat financiare të një qytetari gjerman pa pëlqim paraprak.
Gërvalla kishte potencuar faktin se kur ka plotësuar formularin për pasuri, nuk e ka pasur ende aprovimin paraprak për të dhënat personale.
Kurse sa i përket pretendimit për mos deklarim të saktë të pasurisë së paluajtshme, mbrojta kishte thënë se Gërvalla ka deklaruar një truall me shtëpi, tokë pyjore dhe një tokë bujqësore, të cilat ishin të gjitha trashëgimi nga prindërit dhe se kjo pasuri nuk ishte fituar në kohën kur është bërë deklarimi i pasurisë, por të njëjtat janë përfituar nga prindërit e saj.
Ndërsa, sa i përket pretendimit të prokurorisë për mosdekalarim të biznesit “ALBLINGUA UG” dhe Fondacionit Gërvalla, sipas mbrojtjes së të akuzuarës është bërë lëshim kur Gërvalla ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet e 14.02.2021.
Sa i përket biznesit “ALBLINGUA UG”, sipas pretendimit të mbrojtjes e pandehura nuk ka vazhduar me përpjekje për funksionalizimin e kësaj platforme online.
Sipas mbrojtjes, Fondacioni Gërvalla nuk kishte qenë asnjëherë funksional që nga vitit 2006-2007, nuk ka gjeneruar asnjë të hyrë dhe ky fondacion kishte kaluar në emrin e nënës së saj.
Sipas Gjykatës, kjo kërkesë e mbrojtjes së të akuzuares është e pabazuar. Aktakuza thuhet se është e mbështetur në prova dhe nuk ka elemente me të cilat përjashtohet përgjegjësia penale, duke shtuar faktin se nuk ka elemente të tjera të cilat do të pengonin ndjekjen penale.
Aktakuza ndaj Gërvallës është ngritur për mosdeklarim të pasurisë më 31 janar të viti 2023.
Përmes Facebook-ut kishte reaguar vetë ministrja, Donika Gërvalla.
“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!” – kishte thënë Gërvalla.
Tutje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati thënë se kjo është një fushatë ndaj saj.
“Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë” – kishte thënë ajo.