Albin Kurti

Vizita e parë zyrtare, Kurti sot pranon 'Çelësin e Tiranës' nga Veliaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendosi që vizitën e parë zyrtare jashtë vendit ta zhvillojë në Shqipëri.

Paraditen e sotme, në Tiranë, shefi i ekzekutivit kosovar do t`i takojë ndaras akterët kryesorë të politikës shqiptare.

Kryeministri Kurti në ora 09:00 pritet të zhvilloi takim me homologun, Edi Rama. Takimi është paraparë të zgjas një orë, ndërsa në ora 10:10, dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Në ora 10:45, nikoqir i kryeministrit kosovar do jetë kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Takim, i pari i qeverisë së Kosovës do të zhvillojë edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Takimi do të mbahet në Presidencën shqiptare prej orës 11:20.

Në mesditë, Albin Kurti pritet ta ketë një takim edhe me të parin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Me këtë rast, kryebashkiaku nga Tirana do ta ndaj për Kurtin “Çelësin e Tiranës”.

Në fund të vizitës zyrtare, i pari i qeverisë ka paraparë një takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në selinë e kësaj partie nga ora 12:20.

Së shpejti, Albin Kurti pritet ta zhvillojë edhe një vizitë tjetër zyrtare. Ditë më parë, ai pranoi një ftesë nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.