Vizita e Albin Kurtit, reagon Bekim Jashari: Skenderaj është i të gjithë shqiptarëve

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas vizitës së kreut të Lëvizjës Vetëvendosje në këtë qytet, Albin Kurtit.

Jashari ka thënë se secili shqiptar është i lirë dhe i mirëseradhur në Skenderaj, pavarësisht bindjeve politike.

Tutje, ai ka theksuar se të gjithë kanë të drejtë të shprehin bindjet e tyre politike në mënyrë demokratike.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Jetojmë në kohën e pluralizmit politik, në kohën e demokracisë liberale, ku mendimi i lirë politik, bindja politike është e drejtë fundamentale dhe e garantuar me ligj.

Secili nga Ne ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në menyrë demokratike kudo në Kosovë.

Shoqëria jonë, bazuar në sfidat e së kaluarës, më së miri i di dhe i vlerëson liritë dhe të drejtat e njeriut.

Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë.

Për këtë kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj pa rreshtur.