Vizioni i kryesuesit të ri të KGjK-së

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës votuan sot për t’i dhënë besimin për të udhëhequr me këtë Këshill, gjyqtarin e Gjykatës Supreme – Albert Zogaj.

Para procesit të votimit, Zogaj shpalosi para anëtarëve vizionin e tij për zhvillimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në hyrje të fjalës, Zogaj u zotua se do të heqë dorë nga angazhimi në Akademinë e Drejtësisë ndërsa fokusin do ta ketë në Këshillin Gjyqësor dhe po ashtu angazhimin si kryetar në Komisionin e Provimit të Jurisprudencës.

Zogaj duke ju përgjigjur pretendimeve për situatën e mundshme të konfliktit të interesit, tha se tashmë ka një opinion nga Agjencia Kundër Korrupsion që i hap rrugën atij për të ushtruar me këto pozita.

Në shtjellimin e planit të tij para anëtarëve të Këshillit, Zogaj u deklarua edhe lidhur me çështjen e vettingut për të cilin tha se qëndrimi i tij personal do të jetë në përputhje me qëndrimin e Këshillit Gjyqësor e që deri në fund të muajit, pritet ta ketë ky institucion.

Zogaj, po ashtu tha se në fokus të punës së tij do të jetë përmirësimi i vlerësimit të performancës dhe procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve ku do të shikohet mundësia e inicimit të plotësim – ndryshimit të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore ndaj Gjyqtarëve.

Kryesuesi i ri përmendi gjithashtu edhe rekrutimin e gjyqtarëve të rinj dhe nxjerrjen e rregullores për Kodin e Etikës së Gjyqtarëve.

Krejt në fund, Zogaj u zotua për transparencë në punën e Këshillit dhe gjykatave dhe shtim të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe mediat.

Zogaj do të ketë mandat tre vjeçar në krye të Këshillit Gjyqësor.