Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vizioni i kandidatit të PDK-së në Viti për shfrytëzimin e pronave komunale

Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Azizi tha se pronat komunale të Vitisë do të jepen në shfrytëzim kryesisht për zhvillim ekonomik e për biznese prodhuese.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm te shfrytëzimi i pronave publike. Komuna mund t’i japë në shfrytëzim për 15 vjet ndërsa deri në 100 vjet mund të jepen në bashkëpunim me Qeverinë. Ne pronat do t’i japim për zhvillim ekonomik lokal, hapjen e bizneseve prodhuese. Është edhe Zona Ekonomike me probleme sepse nuk ka qasje në rrugë publike”, ka deklaruar Azizi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre nëse marrin mandatin e kryetarit më 17 tetor.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë: Arsim Ademi  nga LVV; Bekim Azizi nga PDK dhe Sokol Haliti nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vitisë: Majlinda Ostrogllava nga LDK; Majlinda Shabani nga LVV dhe Zyrafete Rama nga PDK.