Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia - Zemajt: S’kemi pranuar asnjë dokument të komunikimit për vaksina

Ish ministri i Shëndetësisë dhe njëherësh nënkryetari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Armend Zemaj, ka theksuar se në Ministri kanë dorëzuar të gjitha dokumentet e komunikimit për sigurimin e vaksinave. Zemaj tha se komunikimi me prodhuesit e vaksinave së bashku me të gjitha dokumentet e tjera kanë qenë në Ministri ndërsa ka shtuar se ka qenë në Prishtinë dhe ka qenë shume lehtë të merren këto dokumente përmes një USB-je.

“Ekspozenë e juaj nuk e mbërrita me kohë por me gjasë keni vazhduar të vajtoni sikurse po bëni që nga fillimi i mandatit për të kaluarën pa një plan konkret, gjë që e keni bërë edhe në planin qeverisës. Ju siguroj se të gjitha dosjet dhe dokumentet për të cilat ju thoni se nuk keni pranuar asgjë nga ne, u kam dorëzuar në pranim-dorëzim se çka ka bërë stafi juaj me ato dokumentacione, unë nuk e di. Është e pavërtetë por nuk e di qëllimin e kësaj”, tha Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si kundërpërgjigje ndaj Armend Zemajt ka ripërsëritur se nuk ka pranuar asnjë dokument të komunikimit nga Zemaj ndërsa të njëjtat i ka siguruar nga prodhuesit.

“Në asnjë dokument dhe në asnjë komunikim tonin nuk është përmendur Pfizer. Mbi tavolinën time kanë qenë 13-14 foldera dhe keni thënë që formalisht ta bëjmë pranim-dorëzimin e një folderi sipas rregullave të Bontonit. Unë kur kam lënë Ministrinë, kam autorizuar sekretarin me USB të u përcjellë dokumentet dhe ta rikujtoj që ne nuk kemi pranuar asnjë dokument të komunikimit për vaksina. Disa herë kam kërkuar nga ekipi im të rishikoj dosjet. Se a ka qenë dashur që të fillojmë më herët me vaksinat nuk mund të them, por vetëm fakti që me 7 dhjetor është formuar ekipi për negociim të vaksinave tregon që negociatat kanë filluar pas asaj date”, ka thënë Vitia.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Zemaj dhe Viti komunikojnë me deklarata kundërthënëse në mes vete rreth komunikimit për sigurimin e vaksinave.