Vitia tregon për gjendjen e bashkatdhetarëve të lënduar nga aksidenti në Kroaci

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia në një konferencë për media sonte ka folur për gjendjen e bashkardhetarëve që i kanë mbijetuar aksidentit të së dielës së 25 korrikut në Kroaci.

“28 persona janë liruar nga spitali dhe 15 të tjerë vazhdojnë trajtimin në spital, një person është transferuar në Zagreb, por gjendja e saj është stabile dhe nevojiten edhe disa ditë që të rikuperohen”, ka thënë ai.

Vitia ka shtuar se nga të liruarit, 4 kanë zgjedhur që të shkojnë në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm.

“Pritet që deri të premten të lirohen edhe 6 persona të tjerë. Përvec njërit gjendja e të tjerëve është jashtë rrezikut për jetë”, tha ministri.

Vitia foli edhe për njërën nga të mbijetuarat që është larguar me ambulancë sapo kanë mbërritur në Aeroportin e Prishtinës.

“Është një rast e cila ka pas shqetësime edhe para fluturimit, kur erdhëm në aeroportin e Prishtinës, pas kontrollës është dërguar në QKUK  Gjendja e saj është stabile dhe pritet qe të bashkohet me familjen”, tha ai.

Më 25 korrik 10 bashkatdhetarë kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar si pasojë e aksidentit në Kroaci, pasi autobusi humbi drejtimin.

Kurse sonte kanë mbërritur  në Kosovë 27 bashkatdhetarë, të cilët i mbijetuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.