Vitia takon homologun Lauterbach, kërkon nga Gjermania ndihmë për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është takuar me homologun nga Gjermania, Karl Lauterbach, më 13.10.2024, në kuadër të Samitit Botëror të Shëndetësisë në Berlin.
Siç njofton Vitia, përveç falënderimeve për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë ndër vite për Republikën e Kosovës, ata kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen.
“Paraqita gjatë takimit dhe nevojën për ndihmën teknike e investimet nga Gjermania përfshirë edhe atë për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë. Gjatë takimit, kërkova mbështetje për edukimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve tanë përmes trajnimeve në Gjermani, për përmirësimin e kapaciteteve tona shëndetësore”- ka shkruar Vitia.
Ai ka thënë se “ministri Lauterbach, shprehu gatishmëri për intensifikimin e bashkëpunimit dhe ndër tjera u shpreh: shqiptarët e Kosovës janë të vyer, të besueshëm, profesionistë dhe që mund të mbështetesh tek ta”.
Sipas Vitisë, ky bashkëpunim i vazhdueshëm me Gjermaninë është shumë i rëndësishëm për ta kthyer sistemin e Kosovës në sistem të besueshëm, të avancuar dhe të sigurtë për qytetarët.