Vitia takime me komandantin e KFOR-it dhe koordinatoren e KB-së, për të folur për situatën me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot është takuar me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Franco Federici.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në këtë takim Vitia dhe Federici kanë diskutuar në lidhje me menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Në këtë takim, u diskutua çështja e bashkëpunimit lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19 si dhe koordinimi i aktiviteteve për të adresuar sa më drejt në të gjitha aspektet këtë sfidë të shëndetit publik”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në këtë takim, është diskutuar për vaksinimin kundër coronavirusit dhe dërgimin e mesazhit tek qytetarët për rëndësinë e vaksinimit.

Vitia po ashtu sot priti në takim edhe Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të shoqëruar nga përfaqësuesit e lartë të zyrave të agjencioneve të KB në Kosovë si OBSH e UNICEF. Edhe në këtë takim është diskutuar menaxhimi me pandeminë në vend.