Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia – Ramës: Ju nuk e kuptoni sistemin shëndetësor në Kosovë

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga LVV-ja Arben Vitia i ka thënë kundërkandiatit të tij nga radhët e LDK-së, Përparim Rama se nuk e kupton sistemin shëndetësor në Kosovë.

Kandidati Rama e pyeti Vitinë se për sa kohë mund të implementohet Sistemi Informativ Shëndetësor.

“Mendoj brenda një vit e gjysmë deri në dy vite maksimumi. Mirëpo z. Rama po shihet që ju nuk e kuptoni gjithë jo vetëm sistemin shëndetësor tek ne…”tha Vitia.

Tutje reagoi kandidati Rama duke thënë se “Unë për atë që s’e kuptoj po ju pyes juve, po më intereson se ju jeni ministër i Shëndetësisë”.

Vitia ia ktheu se nuk është ministër i Shëndetësisë.

“Të lutem bre më lërë të flas, mjaft me këtë arrogancë. Amani lërmë të përgjigjem. S’e kuptoni sepse ju nuk e përjetoni se si është të jesh në lëkurën e pacientit në Republikën e Kosovës, dhe të shkosh dhe të mos kesh mundësi të bësh analiza në QKMF dhe të shkojnë në QKUK të presin me muaj. Ju nuk e keni këtë problem sepse ju jetoni në Londër”, i tha Vitia – Ramës.

Kurse kandidati Rama tha se “Unë për atë që e di se si mund të jetë, e kam idenë që mund të bëhet mirë sistemi. Për atë që kam eksperiencën ndërkombëtare e di që mund ta bëj më mirë, për atë po pyes për sa kohë mund të mbërrijmë këtë”.

Sonte në “Debat Përnime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për kryetar të Prishtinës.
Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.