Vitia: Projektligji për çmimet e produkteve medicinale mbron qytetarët nga çmimet abuzive

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se projektligji për çmimet e produkteve medicinale do të rregulloj çmimet e barnave në vend.

Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, Vitia ka thënë se për herë të parë në Kosovë është duke u bërë një ligj i tillë.

“Sapo miratuam projektligjin për çmimin e produkteve medicinale, është hera e parë që po bëhet një rregullim i tillë. Është punuar gjatë, janë kryer një seli analizash krahasimore”- tha ai.

“Kjo do ta ndihmoj MSH për të vendosur standarde, përfituesit e këtij ligji janë qytetarët e republikës që do të mbrohen nga çmimet abuzive. Krahas rritjes së buxhetit për barna dhe pajisje mjekësore, ky projektligj plotëson politikën tonë duke mbrojtur qytetarët”- shtoi ai.

Vitia paralajmëroi edhe shtim të numrit të inspektorëve shëndetësorë për të siguruar zbatimin e këtij ligji.

“Një nga premtimet ka qenë 3-fishimi i numrit të inspektorëve, në buxhet janë të paparë edhe 42 inspektorë shëndetësorë që do të punësohen”- tha ai.

Vitia në këtë konferencë ka folur edhe problemit e furnizimit me insulina, duke thënë se ky problem ka filluar para se ai të merrte drejtimin e MSH.

“Kjo problematikë ka filluar me hapjen e tenderit në dhjetorin 2020 kur s`kam qenë ministër dhe kjo betejë vazhdon. Deri më tani fatmirësisht qytetarët nuk kanë mbetur pa insulina. Kjo nuk është një betejë, kjo është një përpjekje që ne si MSH nuk do të heqim dorë për ligjshmërinë, ligji e thotë se pa certifikatë të cilësisë që e garanton cilësinë ne nuk mund të marrim barna në Kosovë”- tha ai.

Sipas tij Organi Shqyrtues i Prokurimit duhet të ndryshoj kontratën për furnizim me insulina.

“Ne jemi vetëm duke kërkuar zbatimin e ligjit, ka ndodhur një gabim OSHP është dashur t`i jap një rrugë këtij procesi, kontrata nuk është kushtetutë, nëse kontrata bie ndesh me ligjin, ajo duhet të ndryshohet. Në si MSH përveç aksesin duhet ta garantojmë edhe cilësinë dhe për këtë na duhet autorizim marketingu”- shtoi ministri.

Në mbledhjen e mbajtur sot, kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për çmimet e produkteve medicinale.

Miratohet Projektligji për çmimet e barnave