Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia pas votimit fton qytetarët për pjesëmarrje masive në zgjedhje

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e LVV-së, Arben Vitia, ka ushtruar të drejtën e votës në Shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Vitia u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më shumë në procesin e zgjedhjeve.

“Pas një fushate të gjatë dhe fer nga kandidatët sot është një ditë e rëndësishme jo vetëm për demokracinë por edhe për jetët tona. Sot flasin qytetarët dhe është e rëndësishme që me verdiktin e tyre të zgjedhin atë që mendojnë. I ftoj të dalin sa më masivisht sepse sa më shumë ka pjesëmarrje aq më i madh është verdikti të cilit i nënshtrohemi ne”, tha Vitia.

Kandidatët në garë për Prishtinën janë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.

Në Kosovë sot po mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Vendvotimet janë hapur në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.